
CNN: Negociatat po shkojnë pikërisht siç dëshiron Putini
Vendimi i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për të dërguar ministrin e Mbrojtjes, Rustem Umerov, në një takim me një delegacion rus të nivelit të ulët në Stamboll ka qenë i vështirë, por i domosdoshëm – shkruan CNN në një analizë të zhvillimeve më të fundit në lidhje me përpjekjet për paqe mes Ukrainës dhe Rusisë.
Sipas analizës, ky veprim nuk është drejtuar ndaj Moskës, por ndaj një personi të vetëm – presidentit amerikan Donald Trump. Qëllimi i Kievit është të tregojë se është i gatshëm të bëjë çdo hap drejt paqes, sado simbolik, për të shmangur rrezikun që Trump të fillojë të dëgjojë zërat prorusë përreth tij, të humbasë interesin për procesin ose të kufizojë ndihmën për Ukrainën.
Megjithatë, sipas CNN, procesi i paqes po zhvillohet pikërisht sipas planeve të Kremlinit – ngadalë, me ritmin që përcakton Moska.
Në javën e fundit, pasi Franca, Britania, Gjermania dhe Polonia kërkuan një armëpushim të pakushtëzuar 30-ditor, është bërë e qartë që as Vladimir Putin dhe as Donald Trump nuk janë vërtet të përkushtuar ndaj bisedimeve të sinqerta.
Kremlini, thuhet në raport, nuk ka frikë nga sanksionet e reja apo presioni europian. Madje, nuk ndjen nevojë as t’i përgjigjet sugjerimeve të Trump. Putin duket se ka vlerësuar se rreziqet politike nga një foto e përbashkët me Trump dhe Zelensky janë më të mëdha se çdo pasojë nga pakënaqësia e Trumpit.
Refuzimi për t’iu bashkuar iniciativave perëndimore është një rrezik i kalkuluar, që tashmë duket se ka dhënë rezultat. Deklarata e Trump se “asgjë nuk do të ndodhë pa një takim mes meje dhe Putinit” ka përmbysur çdo plan diplomatik dhe e ka lënë procesin në pritje të një samiti të mundshëm mes dy liderëve.
Nuk përjashtohet mundësia që një takim i tillë të ndodhë së shpejti, dhe që bisedimet në Stamboll të jenë vetëm një paralajmërim për një samit më të madh gjatë fundjavës. Megjithatë, Putin duket se po e shijon ngadalësinë e këtij procesi, i cili ruan një fasadë serioziteti mjaftueshëm për të mbajtur të angazhuar Shtëpinë e Bardhë, pa nxituar drejt zgjidhjeve.
Ndërkohë, trupat ruse po grumbullohen në frontin lindor, pjesë e një strategjie më të gjerë të Moskës. Refuzimi për të reaguar ndaj thirrjeve të Trump tregon dy gjëra: Putin është i gatshëm të përballojë edhe sanksionet e reja të premtuara nga Franca, dhe është i gatshëm të braktisë samitin e Stambollit. Ai ka kuptuar saktë se zemërimi i Trump do të jetë i kufizuar.
CNN thekson se Putin ka qenë i gatshëm të tolerojë disa ditë spekulime mbi ardhjen e tij në Stamboll, vetëm për të shmangur presionin dhe për të theksuar se çdo gjë varet nga ai. Ende nuk dihet nëse ai ka marrë ndonjëherë seriozisht ofertën e Zelenskyt për një takim të drejtpërdrejtë – ndoshta ka negociuar vetëm për kushtet e një takimi me Trumpin.
Presidenti ukrainas gjendet tani në një pozitë të vështirë. Duhet të qëndrojë afër tryezës së negociatave, në rast se ndodh ndonjë përparim i papritur, por pa dhënë përshtypjen se është në pritje të lëvizjes së ardhshme të Putinit. Ai pritet të marrë pjesë në një samit të planifikuar në Shqipëri të premten, por më pas duhet të rikthehet në tryezën e bisedimeve.
Ndërkohë, bëhet gjithnjë e më e qartë se Trump nuk ka gjasa të vendosë sanksione të reja ndaj Rusisë, pavarësisht pritshmërive të Europës dhe vetë administratës amerikane. Përbërja teknike dhe e kufizuar e delegacionit rus në Stamboll i jep Trumpit justifikimin që i nevojitet për të vazhduar të shpresojë në përparim dhe për të shtyrë çdo përshkallëzim ndaj Moskës.
CNN përfundon se bisedimet ka shumë gjasë të vazhdojnë në mënyrë të ngadaltë dhe të pasigurt, me kërkesa maksimale nga Kremlini dhe thirrje të vazhdueshme nga Ukraina për një armëpushim që Rusia refuzon. Dhe kjo është pikërisht ajo që dëshiron Kremlini – kontroll, hapësirë dhe kohë. Edhe nëse përfshihen zyrtarë të lartë të Trumpit në bisedime, përparimi do të jetë minimal, me diskutime që do të fokusohen te – diskutimet e ardhshme.