
Costa shkon në Shqipëri, pritet nga Rama
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka arritur në Shqipëri, në kuadër të vizitës së tij në shtetet e Ballkanit Perëndimor.
I njëjti dje ishte edhe në Kosovë, ku u takuar me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin.
Në kryeqytetin shqiptar, Tiranën, ai u prit nga kryeministri Edi Rama. Costa do të marrë pjesë në takimin e gjashtë të Komunitetit Politik Evropian që do të bëjë bashkë udhëheqës nga i gjithë kontinenti, të premten, më 16 maj.
Në mesin e shteteve pjesëmarrëse është edhe Kosova, vendi do të përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani.
Tema e takimit që mbahet në kryeqendrën shqiptare është “Evropa e Re në një botë të re: unitet – bashkëpunim – veprim i përbashkët”.
47 krerë shtetesh dhe qeverish janë ftuar të marrin pjesë në këtë takim të gjashtë të Komunitetit Politik Evropian.
Siç bëhet e ditur në agjendën e publikuar në faqen e Këshillit Evropian, tri tryeza të rrumbullakëta të nivelit të lartë do të zhvillohen më pas rreth temave si: siguria dhe qëndrueshmëria demokratike e Evropës, përfshirë luftën agresionale të Rusisë kundër Ukrainës, konkurrueshmëria dhe siguria ekonomike si dhe sfidat e lëvizshmërisë dhe fuqizimi i të rinjve.
BE-ja do të përfaqësohet në takim nga Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, i cili do të bashkëkryesojë takimin së bashku me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.