Covidi prek 75 milionë persona në botë

19 dhjetor 2020 | 22:52

Që në shfaqjen e tij, koronavirusi ka prekur deri tani mbi 75 milionë vetë në shkallë globale dhe ka shkaktuar më shumë se 1 milion e 677 mijë të vdekur, sipas statistikave të Universitetit Johns Hopkins.

Shtetet e Bashkuara kryesojnë për nga numri i të infektuarve dhe viktimave, me afro 17.5 milionë të diagnostikuar me koronavirus dhe mbi 313 mijë të vdekur, pasuar nga India dhe Brazili.

Ndërkohë që ekspertët paralajmërojnë për një periudhë të rëndë që do të vazhdojë edhe në tre mujorin e vitit të ardhshëm, autoritetet kanë reaguar duke forcuar masat e izolimit.

Dje në kryeqytetin e vendit, Uashington, kryetarja e bashkisë njoftoi pezullimin e aktiviteteve publike deri më 15 janar dhe zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme deri më 31 mars 2021. Masa to forta izolimi janë në zbatim edhe në Kaliforni, Karolinën e Veriut dhe në Ohajo ku janë në zbatim urdhra për kufizimin e lëvizjes, ndërsa në një numër shtetesh të tjera është kufizuar aktiviteti i biznesit, sidomos puna e restoranteve dhe lokaleve të tjera të shërbimit ushqimor dhe argëtimit.

Masa merren ndërkohë që shumë komunitete kanë regjistruar rritje të shtrimeve në spital deri në një masë kritike.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se në disa zona të Amerikës së Veriut pandemia nuk e kapërceu asnjëherë fazën e parë kritike. Sipas zyrtarit të kësaj organizate për programin e emergjencave, Michael Ryan, në Shtetet e Bashkuara dhe Meksikë virusi u vu disi nën kontroll për pak kohë, por infeksionet u shtuan përsëri më vonë.

Në ditët në vazhdim, ndërsa në një pjesë të madhe të botës fillojnë përgatitjet për festat e fundvitit, autoritetet po bëjnë thirrje për shmangien e grumbullimeve familjare që mund të shtojnë rrezikun e infektimit. /VOA/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
KH Prishtina e ka humbur ndeshjen e parë të raundit…