Daçiqi: S’mund të ketë progres në dialog pa krijimin e Asociacionit

08 mars 2021 | 14:14

Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, ka deklaruar se Beogradi kurrë nuk ka hequr dorë nga pozicioni “se nuk mund të ketë progres në dialogun me Prishtinën derisa të përmbushen detyrimet nga marrëveshja e Brukselit dhe të krijohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe”.

Daçiqi i ka thënë televizionit “K1” se është mirë që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e ka vënë në dukje këtë përsëri gjatë takimit me të dërguarin special të Bashkimit Evropian për dialog midis Beogradit dhe Prishtinës, Mirosllav Lajçak, dhe kështu sipas tij e ka bërë qartë se Beogradi nuk ndryshon pozicionet e tij në dialog dhe se do të insistohet në këtë.

“Ne kurrë nuk kemi hequr dorë nga kjo, ajo është një platformë e vjetër, është thirrja jonë të cilën, që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit, ne e kemi theksuar vazhdimisht drejt institucioneve evropiane”, ka thënë Daçiqi.

Ai ka vlerësuar se BE-ja ka standarde të dyfishta. Në këtë kontekst, ai ka përmendur si shembull zgjedhjet e fundit në Kosovë, të cilat, ka kujtuar ai, janë mbajtur për herë të parë pa vëzhgues të huaj dhe misionin e OSBE.

“A është Kosova ideal i demokracisë, pse nuk erdhi dikush këtu për të folur për dialog ndërpartiak? Sepse ka standarde të dyfishta”, ka thënë Daçiqi.

Më tutje, ai ka përsëritur se pozicionet e Beogradit janë të qarta që nga fillimi, se nuk do të ketë vazhdim të negociatave derisa të zgjidhet çështja e Asociacionit.

“Nuk ka asgjë për të folur, ata gjithashtu e nënshkruan atë dhe  Catherine Ashton (shefja e atëhershme e diplomacisë së BE). Unë mendoj se institucionet evropiane garantojnë diçka”, ka thënë Daçiqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas protestës që po mbahej përpara ndërtesës së qeverisë nga…