Danimarka propozon ligj për ndalimin e djegies së Kuranit dhe Biblës

25 gusht 2023 | 14:23

Qeveria e Danimarkës do të propozojë një ligj që do ta bënte të ndaluar përdhosjen e çdo libri të shenjtë në Danimarkë.

Ky vendim vjen nga një sërë përdhosjesh publike të Kuranit nga një pjesë e vogël e aktivistëve anti-islamik që ndezën demonstrata të zemëruara në vendet myslimane.

Danimarka është parë si një vend që lehtëson fyerjen dhe denigrimin e kulturave, feve dhe traditave të vendeve të tjera, tha qeveria, shkruan “Euronews”.

Propozimi i qeverisë është të zgjasë ndalimin ekzistues të Danimarkës për djegien e flamujve të huaj duke “ndaluar trajtimin e pahijshëm të objekteve të rëndësishme fetare për një komunitet”, ka thënë ministri i Drejtësisë, Peter Hummelgaard.

“Ligji do ta bëjë të dënueshme, për shembull, djegien e Kuranit ose të Biblës në publik. Ai do të synojë vetëm veprime në një vend publik ose me qëllim që të përhapet në një rreth më të gjerë”, ka deklaruar Hummelgaard, duke shtuar se do të dënohen me gjobë ose deri në dy vjet burg të gjithë ata që e shkelin ligjin.

Hummelgaard ka thënë në një konferencë për medie se protestat e fundit ishin “tallje të pakuptimta që nuk kanë qëllim tjetër veçse të krijojnë mosmarrëveshje dhe urrejtje”.

Nuk është  e qartë se kur propozimi do t’i paraqitet Folketing-ut me 179 vende. Tre partitë në koalicionin qeverisës kontrollojnë 88 vende dhe mbështeten gjithashtu nga katër ligjvënësit që përfaqësojnë territoret gjysmë të pavarura daneze të Grenlandës dhe Ishujve Faeroe.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një klub shqiptar raportohet se ka shprehur interesim për të…