‘Dardanët’, përpos Suedisë, duan edhe një tjetër miqësore

11 dhjetor 2019 | 11:34

Përfaqësuesja e Kosovës muajin e ardhshëm zhvillon ndeshje miqësore me Kombëtaren e Suedisë, kurse drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës janë duke punuar për aranzhimin e një tjetër ndeshje miqësore.

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll më 12 janar në Katar e zhvillon ndeshjen miqësore ndaj Suedisë, mirëpo kjo ndeshje mund të mos jetë e vetmja në muajin e ardhshëm, pasi “dardanët” janë në kërkim të kundërshtarit të dytë. Lajmin e ka bërë me dije në konferencë për medie, Bajram Shala, menaxher i Përfaqësueses.

“Ka kontakte për të zhvilluar edhe një ndeshje miqësore. Ende s’ka diçka konkrete, por nëse zhvillohet ndeshja tjetër, do të jetë më 16 janar. Tash për tash e konfirmuar është vetëm ndeshja me Suedinë”, ka thënë Shala, i cili ka zbuluar edhe agjendën e “dardanëve” për ndeshjen me Suedinë. “Do t’i kemi katër stërvitje pasi, për shkak të kushteve klimatike, është shumë vështirë të punohet këtu, prandaj të gjitha stërvitjet do të zhvillohen në Katar”, ka shtuar ai. “Miqësorja me Suedinë është në vazhdën e përpjekjeve të FFK-së për t’i dhënë mundësi shtabit teknik dhe futbollistëve për t’u grumbulluar sa më shpesh dhe të provojnë sa më shumë lojtarë në mënyrë që trajnerët të kenë një pasqyrë sa më reale jo vetëm për futbollistët kryesorë që grumbullohen vazhdimisht, por edhe për ata që mund ta kenë rastin në miqësoren me Suedinë”, ka deklaruar Shala.

Ndërsa ndihmëstrajneri i Kosovës, Muharrem Sahiti, ka thënë se kjo ndeshje miqësore është shumë e vlefshme për Kosovën ani pse nuk është në datat e UEFA-s. “Kjo ndeshje do të jetë shumë e mirëseardhur për n, pavarësisht se, ndoshta, periudha kur zhvillohet nuk është aq e përshtatshme për futbollistët sepse disa janë në pushime e disa të tjerë janë të angazhuar me klubet e tyre, por nuk kemi mundur ta refuzojmë këtë ndeshje. Fakti që nuk është datë e UEFA-s na e vështirëson grumbullimin e lojtarëve, por jemi duke biseduar me disa lojtarë që i kemi në shtetet skandinave dhe po llogarisim në ta. Besoj se brenda pak ditëve do të dimë se cilët lojtarë nga Përfaqësuesja A do t’i kemi në dispozicion”, ka thënë Sahiti, i cili nuk e ka përjashtuar mundësinë që për këtë ndeshje të ftohen edhe lojtarë nga Superliga e Kosovës në futboll. “Ne e kemi vëzhguar edhe Superligën e Kosovës dhe kemi thënë gjithmonë që Përfaqësuesja i ka dyert e hapura për të gjithë futbollistët”, ka deklaruar ai.

Sahiti ka thënë se do të jetë interesante nëse Herolind Shala do të luajë në këtë ndeshje për ta parë formën e tij pas lëndimit, kurse përballjen me suedezët e vlerësoi shumë të fortë, ani pse trajneri i Suedisë ka ftuar shumë lojtarë nga kampionati vendor. Suedia në ndeshjen ndaj Kosovës do të luajë me lojtarë më pak të njohur. Trajneri Janne Andersson ka bërë me dije se i zgjodhi këta lojtarë me arsyen që t’ua japë rastin të paraqiten para Kampionatit Evropian. “Pasi kemi marrë lojtarë nga Suedia, vendet nordike dhe liga ruse, mund të themi se e kemi një përzierje të këndshme. Ka disa lojtarë më të rinj, që janë në fillim të karrierës së tyre, dhe disa më të vjetër, të cilët kanë qenë shumë afër listës së lojtarëve të ftuar për ndeshjet e këtij viti, përfshirë këtu Marcus Danielsonin. Kështu që, më duket një përzierje e mirë e lojtarëve. Arsyeja pse po e bëj këtë është pasi që ne duam t’i shohim lojtarët duke garuar për t’u futur në Kombëtaren A në të ardhmen dhe tani ata do ta kenë mundësinë për ta dëshmuar veten”, ka thënë Anderssoni.

/Veton ZYMBERI/

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
LULZIM SAHITI Eshaloni i UÇK-së në luftë me forcat armike…