Darrieussecq: Franca është e kënaqur me të arriturat e Kosovës

01 qershor 2018 | 16:06

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK), Rrustem Berisha, pritur sot me ceremoni ushtarake ministren e Mbrojtjes së Francës, Genevieve Darrieussecq.

Ministri Berisha së bashku me ministren e Francës, Darrieussecq kryesuan edhe takimin e përbashkët të dy delegacioneve, ku biseduan për bashkëpunimin e dyanshëm në mes të Kosovës dhe Francës, MFSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Francës, si dhe për zhvillimet në fushën e sigurisë në Kosovë, rajon dhe më gjerë.

Fillimisht, ministri Berisha e ka falënderuar ministren Darrieussecq për bashkëpunimin dhe për ndihmën që Franca ka dhënë dhe po jep për Kosovën, dhe më pas e ka njoftuar mbi zhvillimet e përgjithshme në MFSK dhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës, me theks të veçantë për integrimin e gjinisë femërore dhe të komunitetit joshumicë në FSK, si dhe për gatishmërinë e FSK-së që të kontribuojë për paqen dhe sigurinë kudo që ka nevojë.

Gjithashtu, ministri Berisha i ka shprehur ministres të Mbrojtjes së Francës, Darrieussecq, interesimin për akademitë dhe shkollat ushtarake franceze, me qëllim të shkollimit dhe trajnimit të oficerëve dhe ushtarëve tanë atje.

Ai po ashtu ka shprehur dëshirën për arritjen e një memorandumi bashkëpunimi ndërmjet të dyja vendeve në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, në të cilin do të konkretizoheshin aktivitetet e përbashkëta.
Ndërsa, ministrja e Francës, Genevieve Darrieussecq, pasi që ka shprehur falënderimin e saj për pritjen, i ka përgëzuar ministrin Berisha dhe komandantin e FSK-së gjeneral Rrahman Ramën për të arriturat e përgjithshme të FSK-së.

“Rajoni i Ballkanit vazhdon të jetë i rëndësishëm për Francën, dhe në vazhdimësi jemi krenarë që kemi kontribuar për vendin tuaj. Franca është e kënaqur me të arriturat e vendit tuaj për të ecur përpara. Bashkëpunimi ndërmjet nesh do të vazhdoj të intensifikohet në të ardhmen. Atasheu ushtarak i sapo akredituar për Kosovën do të jetë urë lidhëse ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes të Francës dhe Ministrisë së FSK-së”, ka thënë ministrja e Francës, Genevieve Darrieussecq.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dy luanë, dy tigra dhe një jaguar kanë ikur nga…