Daut Haradinaj: Masakra e Dubravës, dëshmi e gjenocidit serb në Kosovë – e vërteta nuk mund të fshihet
Daut Haradinaj, ka nderuar të rënët e masakrës së Dubravës, duke e cilësuar atë si një nga krimet më të rënda të kryera ndaj shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë.
Haradinaj ka theksuar se agresioni i Serbisë në Kosovë kishte karakter gjenocidal, ndërsa Masakra e Dubravës mbetet, sipas tij, një nga aktet më makabre të asaj periudhe.
“Masakra e Dubravës mbetet një nga krimet më makabre të kryera ndaj shqiptarëve në Kosovë. Të masakrosh njerëz të kidnapuar, të pambrojtur dhe të mbyllur brenda një burgu ishte akt që i dëshmoi botës fytyrën barbare të Serbisë,” ka deklaruar Haradinaj.
Ai ka theksuar se në këtë masakër u vranë 119 shqiptarë, mbi 300 u plagosën, ndërsa rreth 980 të burgosur përjetuan terror dhe dhunë çnjerëzore brenda burgut të Dubravës.
Sipas Haradinajt, regjimi i Millosheviqit la pas varre masive dhe plagë të pashërueshme për familjet e viktimave, por pavarësisht kësaj, populli i Kosovës nuk u gjunjëzua dhe vazhdoi rrugën drejt lirisë.
“E vërteta nuk mund të fshihet kurrë. Kosova është ndërtuar mbi gjakun e martirëve dhe sakrificën për liri e dinjitet,” ka shtuar ai, duke theksuar se dëshmitë e të mbijetuarve të masakrës mbeten të gjalla edhe sot.



