David Cullen kërkon që Kosova të bëjë reforma në rrugën e saj të integrimit evropian

21 shkurt 2020 | 10:55

Ministri i Integrimeve Evropiane, Blerim Reka, ka pritur shefin e Njësisë për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut në Komisionin Evropian, David Cullen, me të cilin ka diskutuar për procesin e integrimit evropian dhe hapat që Republika e Kosovës duhet t’i ndërmarrë në këtë proces.

Në këtë takim u diskutua gjithashtu për metodologjinë e re të zgjerimit të përgatitur nga Komisioni Evropian dhe për ndikimin e saj në zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor.

Më tej u theksua nevoja për të intensifikuar veprimet në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe të Agjendës për reforma Evropiane, përfshirë sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Gjithashtu u trajtua rëndësia e maksimizimit të potencialit të ndihmës së IPA-s.

U theksua edhe rëndësia e mbajtjes së komunikimit të rregullt ndërmjet palëve Kosovë-BE, si dhe koordinimi i të gjitha aktiviteteve përmes kësaj ministrie me institucionet e tjera qeveritare.

“Qeveria Kurti ka vendosur prioritetet që kontribuojnë në procesin e integrimit evropian dhe reformat e parapara me Agjendën për Reforma Evropiane. Kosova është në dijeni të përgjegjësive të saj ndërsa mbështetja e institucioneve të BE-së dhe e Shteteve Anëtare është më se e mirëseardhur për të ecur përpara së bashku në këtë proces”, ka thënë ministri Reka.

Shefi i Njësisë për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut në Komisionin Evropian, David Cullen, ka thënë se reformat janë rruga e duhur përpara dhe kërkoi angazhim të fuqishëm politik.

Cullen gjithashtu ka shprehur gatishmërinë e Komisionit Evropian për ta mbështetur Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit evropian.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka vdekur ish-futbollisti i Trepçës ’89, Gëzim Kaçaniku. Lajmi është…