De Bruyne rikthehet në stërvitje, gati për Torinon
Mesfushori Kevin De Bruyne, të hënën është kthyer në stërvitje te Napoli pas një periudhe të gjatë jashtë fushe.
De Bruyne qëndroi katër muaj jashtë fushës pas lëndimit që e pësoi më datën 25 tetor të vitit të shkuar kundër Interit dhe u detyrua ti nënshtrohet operimit.
Belgu është rikuperuar plotësisht dhe pritet të jetë i gatshëm për duelin kundër Torinos, të cilin Napoli e luan në shtëpi, të premten mbrëma në kuadër të xhiros së 28-të në Serie A.
Mesfushori 34-vjeçar iu bashkua Napolit si futbollist i lirë para fillimit të këtij sezoni, ndërsa me fanellën e ekipit italian, De Bruyne ka 4 gola e 2 asistime në 11 paraqitje në të gjitha garat.
De Bruyne ka kontratë me skuadrën italiane deri në verën e vitit 2027, ndërsa ka opsionin e vazhdimit edhe për një vit tjetër.



