De Niron do ta vrasin në fund të filmit

19 gusht 2020 | 09:26

XHEVDET BAJRAJ

 

De Niron do ta vrasin në fund të filmit

 

Mes rrënojave të asaj që dikur ishte parajsë

bën ftohtë

aq ftohtë saqë edhe pemët dridhen

i hedhin frutat

Brenda shtëpisë

nëna ngadalë po vdes e ulur në kolltuk

duke e shikuar një film me De Niron

 

Jashtë

bëhet fushatë politike

janë zgjedhjet

votohet për vrasës

(me dhe pa pagesë)

për hajna

për mashtrues

dhe për skllevërit e tyre

 

Hoxha ia fut ezanit kot

kot bien edhe kambanat e kishës

Zoti na ka trajtuar me dinjitet

duke na dhënë vullnet të lirë

fuqinë për të marrë vendime tona

politikanët nuk na japin këtë mundësi

 

Nënë

De Niron do ta vrasin në fund të filmit

po dal unë ta pi ndonjë birrë

të lutem për ne të dy

në njërën nga kafenetë e qytetit

mos ke dert

nuk do të pi nëpër rrugët

që mbajnë emra heronjsh të shpifur

sapo mora vesh që në rrugën ‘Shën Nëna Terezë’

një vrasës e kishte hapur një tavernë të re

dhe të lutem

lëre derën hapur

mbaje dritën ndezur në zemër

që ta di ku të kthehem

 

(Nga libri në dorëshkrim me titull pune “Fishkëllima e vdekjes”, botues “Armagedoni”.

Fotografinë e autorit: Arianit Beqiri)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Australia ka njoftuar se ka siguruar furnizimin me një vaksinë…