Dega e PDK-së në Prizren: Qeverisja aktuale larg përfaqësimit të interesave të qytetarëve

21 tetor 2020 | 14:13

Partia Demokratike e Kosovës Dega në Prizren, ka thënë se qeverisja aktuale nga Mytaher Haskuka është larg përfaqësimit të interesave të qytetarëve. Sipas kësaj partie, mandati i kësaj qeverisje është karakterizuar me drejtorë të akuzuar.

Dega e PDK-së në këtë qytet ka bërë me dije se vazhdimisht ka ngritur shqetësime, për modelin e qeverisjes lokale në Prizren.

“Dikur e ashtuquajtura qeveria Haskuka, tani më as këtë epitet nuk mund ta mbajë. E degraduar dhe e përcjell me mostransparencë dhe e ndeshur rregullisht me ligjin. Larg përfaqësimit të interesave të qytetarëve të Komunës së Prizrenit. Pa vizion, pa strategji të artikulimit të kërkesave të qytetarëve. E radhitur në fund tek të gjitha listat nga monitorues vendorë e ndërkombëtarë. Çdo ditë e më shumë, po shpërfaqë humbje besimi dhe mungesë orientimi qeverisës”, është thënë në reagimin e kësaj partie.

Sipas PDK-së në Prizren, në gjysmën e parë të mandatit, gjysma e drejtorëve ishin të akuzuar.

“Pjesën e dytë të mandatit, janë zyrtarë e drejtorë të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Tani, zyrtarisht, janë tre drejtorë aktual, të pandehur me procese në prokurorinë themelore në Prizren. Në modelin e qeverisjes aktuale dhe të frustruar, po këndohet edhe më tej kënga e vjetër prej ish-drejtorëve të akuzuar, deri në drejtorët aktual si të pandehur. Jemi të shqetësuar jo vetëm duke përfaqësuar si opozitë qytetarët që na besuan, por edhe ata që dikur shpresonin për ndryshime në qeverisjen lokale. Kërkojmë nga Mytaher Haskuka, që të ndërmarrë masa të menjëhershme, ndaj atyre që kanë tradhtuar besimin publik qytetar”, thuhet në reagimin e PDK-së në Prizren.

(Q.R / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka bërë me…