Deklarata kushtetuese 2 Korrik 1990 – Gurthemeli i shtetësisë moderne të Kosovës
Shkruan: Akademik Arsim Bajrami
Sot, me krenari dhe respekt të thellë, shënojmë 36-vjetorin e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, aktit historik me të cilin deputetët e Kuvendit të Kosovës shpallën Kosovën njësi të barabartë në federatën e atëhershme jugosllave, duke sfiduar regjimin represiv serb dhe duke afirmuar të drejtën e popullit të Kosovës për liri, demokraci dhe vetëvendosje.
Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut nuk ishte një akt i izoluar. Ajo shënoi fillimin e një procesi të pandalshëm të shtetformimit të Kosovës, i cili u kurorëzua me Kushtetutën e Republikës së Kosovës të 7 Shtatorit 1990, të miratuar në Kaçanik. Kjo kushtetutë i dha Kosovës bazën e saj të parë kushtetuese si republikë demokratike dhe sovrane, duke institucionalizuar aspiratën shekullore të popullit shqiptar për liri dhe vetëqeverisje.
Ky rrugëtim historik vazhdoi me Referendumin për Pavarësinë e Kosovës, të mbajtur më 26–30 shtator 1991, në të cilin qytetarët e Kosovës, me një pjesëmarrje dhe mbështetje plebishitare, u deklaruan për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Ky referendum ishte shprehja më e fuqishme demokratike e vullnetit të popullit të Kosovës dhe vulosi legjitimitetin e projektit shtetëror të Republikës së Kosovës.
Këto tri akte – Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990, Kushtetuta e Kaçanikut e 7 Shtatorit 1990 dhe Referendumi për Pavarësinë i vitit 1991 – përbëjnë tri shtyllat themelore juridike dhe politike mbi të cilat u ndërtua shteti i Kosovës. Ato krijuan vazhdimësinë kushtetuese të Republikës së Kosovës, e cila u mbrojt me rezistencën paqësore, u forcua me luftën çlirimtare të UÇK-së dhe u kurorëzua me shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008.
Në këtë ditë nderojmë me mirënjohje deputetët e 2 Korrikut, hartuesit e Kushtetutës së Kaçanikut, organizatorët e Referendumit të vitit 1991, si dhe të gjithë qytetarët që, me guxim dhe përkushtim, mbrojtën të drejtën e Kosovës për të qenë shtet i lirë, demokratik dhe sovran.
Nderim i veçantë për Akademik Gazmend Zajmin, mendimtarin dhe arkitektin e kushtetutshmërisë moderne të Kosovës, trashëgimia shkencore dhe kombëtare e të cilit vazhdon të ndriçojë rrugën e shtetit tonë.Republikës së Kosovës!
Nderim të përhershëm për të gjithë ata që kontribuan në rrugën e lirisë dhe shtetësisë sonë!
Urime 2 Korriku – dita që hapi rrugën drejt Republikës së Kosovës! 🇽🇰



