Delegacioni i Hamasit mbërrin në Egjipt
Një delegacion i Hamasit ka mbërritur në Kajro për bisedime, në një moment kur dhuna në Rripin e Gazës është rikthyer sërish, raportojnë burime nga aeroporti i kryeqytetit egjiptian.
Sipas agjencisë gjermane të lajmeve dpa, delegacioni kryesohet nga Khalil al-Haya, përfaqësuesi më i lartë i Hamasit jashtë vendit. Janë planifikuar takime me ndërmjetës nga Egjipti, Katari dhe SHBA-në, me fokus luftën e vazhdueshme mes Izraelit dhe Hamasit.
Bisedimet pritet të përqendrohen te përshkallëzimi i ri i dhunës, pavarësisht armëpushimit të shpallur më 10 tetor, si edhe te kalimi në fazën e dytë të planit të paqes për Gazën, të prezantuar nga presidenti amerikan Donald Trump, sipas rrjetit televiziv Al-Hadath nga Arabia Saudite.
Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi sot se Izraeli është gati të bëjë “çfarëdo që është e nevojshme” për të parandaluar forcimin e Hezbollahut në Liban dhe Hamasit në Gaza.
“Ne vazhdojmë të godasim terrorizmin në shumë fronte”, tha ai gjatë një mbledhjeje të kabinetit.
Rastet e përsëritura të dhunës në Gaza shtojnë frikën për qëndrueshmërinë e armëpushimit të brishtë. Sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza, 22 persona u vranë dje nga sulmet izraelite.
Ushtria izraelite njoftoi se goditjet e saj janë përgjigje ndaj shkeljeve të armëpushimit nga grupet palestineze dhe ndaj sulmeve kundër ushtarëve izraelitë, të cilët vijojnë të kontrollojnë mbi 50% të territorit të Gazës.



