Delegacioni i Kosovës shkon në Uashington pa opozitën

01 shtator 2020 | 10:51

Delegacioni i Kosovës, i kryesuar nga kryeministri Avdullah Hoti, ka udhëtuar të hënën për në Uashington pa përfaqësuesit e opozitës. Ndonëse synohej një konsensus nacional për këtë takim, një gjë e tillë nuk është arritur.

Dy subjektet politike opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, kanë refuzuar t’i dërgojnë përfaqësuesit e tyre në delegacionin shtetëror për arsye të ndryshme.

Ndërsa njohësit e rrethanave politike kanë kritikuar këtë qasje të spektrit politik të Kosovës. Ata kanë bërë me dije se mosunifikimi i qëndrimeve për këtë çështje dobëson pozicionin e Kosovës në këtë proces.

Analisti politik Behxhet Shala ka thënë për gazetën “Epoka e re” se konsensusi i spektrit politik për dialogun do ta fuqizonte pozicionin e Kosovës në këtë proces. “Mendoj se po ta kishin një qëndrim konsensual në këtë takim do të ishim më të fortë, më bindës, më kredibilë dhe natyrisht se do të na merrnin më seriozisht. Kështu, nëse partitë opozitare janë jashtë lojës, pra jashtë bisedimeve, atëherë është joserioze të mendohet se Avdullah Hoti do të mund të bëjë diçka. Duke i lënë anash 53 deputetë shqiptarë, kryeministri nuk do të mund të marrë ndonjë vendim i cili do të kishte një interes strategjik apo përcaktues për të ardhmen e Kosovës”, ka thënë Shala.

Ai ka deklaruar se refuzimi i opozitës për të marrë pjesë në takimin e Uashingtonit është në përputhje me mandatin e saj opozitar. Sipas Shalës, në këtë drejtim fajin e ka qeveria. “Çdo gjë është bërë me vonesë nga ana e qeverisë në këtë drejtim. Më tepër ka pasur deklarata publike që do të konsultohet opozita, mirëpo në praktikë është vepruar ndryshe. Mendoj se qëndrimi i partive opozitare është në përputhje me mandatin që kanë partitë opozitare”, ka thënë ai.

Edhe analisti tjetër politik Faton Abdullahu ka deklaruar për “Epokën e re” se me përçarje të spektrit politik humbet Kosova. “Po vazhdojmë të mos jemi unikë si në këtë qeveri, si në atë para kësaj, edhe përkundër faktit se po bindemi pandalshëm sa agresive, por edhe e bashkuar është Serbia kundër nesh. Sa më të përçarë aq më shumë do të zvogëlohen mundësitë që të përfitojmë ndonjë gjë nga dialogu me Serbinë. E pakuptueshme prej nga kjo prirje noshalante për të mos u bërë bashkë së paku në përballje me Serbinë. Të përçarëve nuk u ndihmon as Zoti e as Amerika. Shqiptarëve u është rikthyer një e metë e vjetër ku, inati po u bëhet më i madh se arsyeja e ky inat u vjen si duket nga grykësia për të shnukur sa më shumë pushtet. Nuk shpresoj shumë se kjo do të tejkalohet lehtë ndërmjet partnerëve të koalicionit aktual”, ka thënë Abdullahu.

Ai ka vlerësuar se për takime të tilla të rëndësishme Kosova duhet të flasë me një zë. “Më 4 shtator në Uashington do të vihen në vija të trasha synimet dhe qëllimet e një projekti ekonomik i cili nuk mund të jetë vetëm ekonomik por, në një të ardhme të afërt, do ta marrë edhe dimensionin politik. Shpresoj shumë se ato që i mungojnë qeverisë Hoti, e ato janë mangësi të shumta, do të kompensohen nga ndihma dhe përkujdesja e partnerit tonë, në këtë rast Uashingtonit zyrtar”, është shprehur Avdullahu.

LV-ja dhe PDK-ja me qëndrime të ndryshme për takimin e Uashingtonit

Subjektet politike opozitare kanë refuzuar ftesën e kryeministrit për pjesëmarrje në delegacion për takimin e Uashingtonit për arsye të ndryshme. Lëvizja Vetëvendosje është shprehur skeptike për takimin e 4 shtatorit dhe ka akuzuar qeverinë për moslegjitimitet, ndërsa PDK-ja e ka mirëpritur takimin e Uashingtonit, por e ka kritikuar qasjen e kryeministrit Hoti në këtë proces.

Lideri i LV-së, Albin Kurti, ka thënë se me këtë qeveri Kosova është e dobët në këtë proces. “Problem për ne është edhe pjesëmarrja në një takim me një kryeministër i cili nuk gëzon as legjitimitet demokratik e as autoritet popullor, e i cili pretendon se kështu i dobët të shkojë të negociojë për Kosovën. Dobësia e tij do të shndërrohet në dobësi të Kosovës nëse nuk veprojmë ashtu siç duhet e nëse procesin nuk e udhëheq subjekti e personi që fiton zgjedhjet e lira dhe demokratike që duhet të mbahen sa më shpejt”, ka vlerësuar Kurti.

Ndërsa kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, nëpërmjet një letre ka rikonfirmuar qëndrimin zyrtar të PDK-së, se mbështet angazhimin e ShBA-së dhe të BE-së në procesin e dialogut si partnerë strategjik ndërkombëtar, por kjo parti nuk do të jetë pjesë e delegacionit të Kosovës.

Veseli ka thënë se PDK-ja do ta ushtrojë rolin kushtetues në procesin e dialogut, si opozitë në Kuvendin e Kosovës. “Partia Demokratike e Kosovës do ta ushtrojë rolin e saj kushtetues në procesin e dialogut si opozitë në Kuvendin e Kosovës, por nuk do të jetë pjesë e delegacionit. Partia Demokratike e Kosovës mbështet vetëm një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare që është në përputhje me platformën tashmë të njohur të saj, e cila garanton njohjen e ndërsjellë, sovranitetin shtetëror, integritetin territorial, karakterin unitar të shtetit dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB”, ka vlerësuar Veseli.

Të premten delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë pritet të takohen në Shtëpinë e Bardhë me ftesën që ua kanë bërë këshilltari për Siguri Kombëtare i presidentit Trump, Robert O’Brein, dhe i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë – Serbi, Richard Grenell.

Pjesë e ekipit të delegacionit të Kosovës, përveç kryeministrit Avdullah Hoti dhe koordinatorit shtetëror Skender Hyseni, do të jenë dy zëvendëskryeministrat, Driton Selmanaj dhe Albulena Balaj-Halimi, dy ministrat nga radhët e AAK-së, Selim Selimi dhe Meliza Haradinaj-Stublla, si dhe ministri i Infrastrukturës, Abran Abrashi, dhe shefja e kabinetit të kryeministrit Hoti, Ardita Dushi.

(Muhamet Koci)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Juventus është gati që të rikthehet sërish në garë për…