
Deliu-Kodra: Nuk është veç Dimal Basha që ka baltosur luftën e UÇK-së, ka edhe të tjerë në LV
19 shtator 2025
| 14:14
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra ka thënë se si parti nuk janë pishman që kanë votuar Dimal Bashën për kryekuvendar, pasi sipas saj, Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur fjalën që do të votojë pro çdo kandidati që s’ka qenë ministër në qeverinë Kurti.
Në “Klan Kosova”, ajo ka folur edhe për artikullin anti-UÇK me bashkautor Bashën.
“Nuk është vetëm Dimal Basha ai që e ka baltosur luftën tonë çlirimtare, figurat tona që kanë qenë udhëheqës, krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ju tashmë i dini deklaratat e ministrave dhe eksponentëve të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët në mënyrë të përsëritur kanë vazhduar ta baltosin atë që është vlera jonë jetike”, ka thënë Deliu-Kodra.