Demokratët fitojnë garën e ngushtë në Arizona

13 nëntor 2018 | 16:00

Shteti amerikan, Arizona ka zgjedhur demokraten Krysten Sinema si senatoren e parë grua të këtij shteti, e cila ka mundur republikanen, Martha McSally në një garë të ngushtë.

Sinema është po ashtu demokratja e parë e zgjedhur senatore në veriperëndim të ShBA-së nga viti 1994.

Kjo fitore ngushton rezultatin e shumicës së republikanëve në katër ulëse, përkatësisht me 51 ulëse për republikanët në krahasim me 47 të demokratëve, teksa edhe dy ulëse të tjera vazhdojnë të mbesin në garë.

Me pothuajse të gjitha votat e numëruara, Sinema ka udhëhequr ndaj kundërshtares së saj me 1.7 për qind më shumë vota.

Ajo ka zënë vendin e liruar nga Jeff Flake, i cili njihet si kritik i zëshëm i Trumpit.

Sinema ka përkujtuar senatorin e ndjerë, John McCain, i cili po ashtu ka përfaqësuar Arizonën në Senat, deri pak para vdekjes, duke thënë se ai ka treguar shembullin më të mirë se si duhet vendosur interesat shtetërore përpara atyre politike.

McSally, në anën tjetër ka pranuar humbjen.

Përmes disa pamjeve të publikuara në rrjetin social “Twitter”, ajo ka thënë se “kam përgëzuar Kyrsten Sinema që është bërë gruaja e parë senatore nga Arizona, pas një beteje të ashpër”.

Përveç Arizonas, në Florida, rinumërimi i votave është urdhëruar me ligj, pasi rezultatet jozyrtare kanë rënë nën kufirin e 0.5 përqindëshit.

Përveç tjerash edhe Misisipi do të mbajë një raund të ri të zgjedhjeve më vonë gjatë këtij muaji.

Në zgjedhjet e mbajtura për Kongres më 6 nëntor, demokratët kanë fituar kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, derisa republikanët kanë rifituar shumicën në Senat.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është duke punuar vazhdimisht që…