Demokratët fitojnë Nju Jorkun, Virxhinia dhe Nju Xhersin

05 nëntor 2025 | 11:35

Demokratët i fituan tri gara të martën në zgjedhjet e para të rëndësishme qëkurse Donald Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë, duke ngritur një brez të ri udhëheqësish dhe duke i dhënë partisë së tyre një shtysë të re para zgjedhjeve kongresionale të vitit të ardhshëm.

Në Nju Jork, Zohran Mamdani, një socialist demokrat 34-vjeçar, fitoi garën për kryetar, që kulmoi me ngritjen e tij të shpejtë dhe të papritur nga një ligjvënës i panjohur shtetëror në një nga figurat më të dukshme të demokratëve në vend.

Ndërkohë, në Virxhinia dhe Nju Xhersi, demokratet e moderuara Abigail Spanberger, 46 vjeçe, dhe Mikie Sherrill, 53 vjeçe, fituan zgjedhjet për guvernatore me epërsi të dukshme.

Kandidatët fitues pritet ta ringjallin energjinë dhe të nxisin më shumë angazhim nga votuesit demokratë, shumë prej të cilëve kanë kërkuar figura të reja në krye të partisë. Pjesëmarrja në zgjedhjet për kryetar në Nju Jork ishte më e larta që prej vitit 1969.

Që të tre kandidatët demokratë vunë theksin mbi çështjet ekonomike, veçanërisht te përballueshmëria, një çështje që mbetet me prioritet për shumicën e votuesve.

Mamdani, i cili do të bëhet kryetari i parë mysliman i qytetit më të madh në SHBA, e mundi ish-guvernatorin, Andrew Cuomo, i cili garoi si i pavarur pasi humbi nominimin ndaj Mamdanit më herët këtë vit.

Cuomo, i cili dha dorëheqje si guvernator katër vjet më parë pas akuzave për ngacmim seksual që ai i ka mohuar, e paraqiti Mamdanin si një ekstremist të majtë me propozime të paqëndrueshme dhe të rrezikshme.

Mamdani ka bërë thirrje për rritjen e taksave për korporatat dhe të pasurit për të financuar politika ambicioze të majta, si ngrirja e qirave, kujdes falas për fëmijët dhe autobusë falas në qytet. Drejtues të Wall Street-it kanë shprehur shqetësim për vendosjen e një socialisti demokrat në krye të kryeqytetit financiar të botës.

Republikanët kanë sinjalizuar tashmë se synojnë ta paraqesin Mamdanin si fytyrën e Partisë Demokratike.

Spanberger, e cila mundi nënguvernatoren republikane Winsome Earle-Sears, do ta zëvendësojë guvernatorin republikan Glenn Youngkin në Virxhinia.

Ndërsa në Nju Xhersi, Sherrill mposhti republikanin Jack Ciattarelli dhe do të pasojë guvernatorin demokrat Phil Murphy. /REL/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin, ka shpallur listën për dy…