Demokratët sfidojnë fuqinë e Bidenit në garën për president

01 gusht 2019 | 13:59

Ish-zëvendëspresidenti Joe Biden është vënë nën shënjestër nga kandidatë të tjerë për nominimin demokrat për presidenciale, në një natë të dytë debati në televizion. Ndasitë ideologjike në Partinë Demokratike në Shtetet e Bashkuara, janë thelluar të mërkurën, pasi kandidatët presidencialë janë përballur me njëri-tjetrin për kujdes shëndetësor, imigrim dhe çështje racore, duke testuar kështu kandidaturën e ish-zëvendëspresidentit amerikan, Joe Biden, që konsiderohet favorit nga radhët e demokratëve.

Biden është detyruar vazhdimisht që të mbrojë qasjen e tij disa dekadëshe në politikë, pasi rivalët e tij më të rinj në moshë, kanë pretenduar se bashkëpunimi i tij tetëvjeçar me ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, nuk është arsye e mjaftueshme që ai të fitojë nominimin e demokratëve.

Sulmet ndaj Bidenit në debatin e dytë presidencial kanë qenë më të shprehura nga senatorja e Kalifornisë, Kamala Harris, e cila ka thënë se gatishmëria e ish-nën presidentit amerikan për të punuar gjatë viteve 1970 me disa ithtarë të ndasive racore, mund të ketë pasoja të mëdha.

Sipas saj, nëse ndasi të tilla do të ekzistonin ende mes racave, ajo dhe kandidati tjetër presidencial me ngjyrë, Cory Booker do ta kishin të pamundur për të fituar pozitën e senatorit.

Mirëpo, Biden ka përsëritur lidhjen e tij me Obaman. “Ne jemi duke folur për këto gjëra që kanë ndodhur shumë kohë më parë. Secili po flet se sa i tmerrshëm jam unë në këto çështje. Barack Obama e ka ditur kush isha unë”, ka thënë ai.

Këto diskutime kanë shpërfaqur sfidat, me të cilat përballet Biden dhe partia e tij, teksa demokratët synojnë të rindërtojnë një koalicion të shumë kulturave dhe racave, që i ka ndihmuar Obamas të fitojë dy palë zgjedhje presidenciale.

Këto dallime janë diskutuar në një varg çështjesh, duke përfshirë kujdesin shëndetësor, imigrimin dhe të drejtat e grave për riprodhim.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka zhvilluar një…