DEMONSTRATAT E ULQINIT TË VITI 1969

26 dhjetor 2021 | 19:27

Shkruan Gazmend Çitaku

Një ditë vere diku në mes të viteve të 90-ta të shek.XX gjatë një bisede me tone patriotike daja im i ndjerë Ali Kasneci më tregoi se në vitin e largët 1969 ai me shokun e tij Nazo Ficin kishin marrë pjesë në ngritjen e flamurit në Ulqin por që refuzonte të rrëfehej përkundër insistimit tim të madh ndoshta nga

frika që i kishte mbetur nga ajo kohë ose nga kush e di se çka. Krimbi i kurreshtjes më brente çdo ditë. Ku të gjej diçka më shumë? Mu atëherë fillon edhe një bashkëpunim imi intelektual me dr. Bahri Briskun i cili njihej për veprimtarinë e tij patriotike për ç’gjë edhe ishte dënuar dhe kishte vuajtur dënimin disa herë nëpër burgjet jugosllave.

Shpesh mundohesha të nxjerr edhe nga Baca Bahri por më kot vetëm copëza të cilat filluan të vijnë në vend të vet vetëm në bisedën miqësore që zhvilluam me Bacën Bahri më 15 janar 2012 në çajtoren e Kastriotit.

Atë fillim viti Baca Bahri më ftoi për çaj dhe të bisedojmë diçka rreth një libri të cilin ishte duke përgatitur. Në bisedë e sipër përmendet edhe flamuri jonë kombëtar dhe kjo u bë shkas që me pyetje të kujdesshme të nxirrja diçka më tepër rreth demonstratave të vitit 1969.

Baca Bahri kujtonte se demonstratat e viti 1968 në Kosovë dhe Maqedoni ishin shtysë për shprehjen e pakënaqësisë shqiptare të 3 qershorit të vitit 1969 edhe në Ulqin. Madje në Ulqin grumbullimi i mllefit dhe i pakënaqësisë ishte shumë i hershëm dhe ishte akumuluar në bazë të persekutimeve të vazhdueshme të intelektualëve shqiptar apo presionet e ndryshme ndaj kuadrit të shkolluar që ishin të vazhdueshme.

Kësisoji nga viti 1954 me vendim të pushtetit të atëhershëm pezullohet shkollimi në gjuhën shqipe për nxënësit që mbaronin shkollën fillore dhe kështu ata detyroheshin që mësimet t’i vazhdojnë në gjuhën jugosllave  ose të ndërpresin shkollën.

Edhe përkundër informacioneve që organizatorët e demonstratave të fundvitit 1968 dënoheshin jashtëzakonisht rreptë edhe në Ulqin një grup ulqinakësh filluan që të bisedojnë rreth organizimit të mundëshëm të një demonstrate ku do të shprehej pakënaqësia ndaj të padrejtave që i bëhej popullsisë shqiptare në përgjithësi por edhe me akcent në Ulqin dhe kështu edhe Ulqini të hynte në hartën mbarëkombëtare të revoltës shqiptare.

Sipas Bahri Briskut u zhvilluan disa biseda parapërgatitore dhe se mbledhja e parë e organizuar u mbajt më 23 maj 1969 në pemishten e tij në Kodra, në periferi të Ulqinit. Grupi organizativ përbëhej prej: Bahri Brisku, Elez Nikeziqi, Bajram Sela, Hasan Bojku, Selatin Bajraktari, Ruzhdi Alibegu, Qemal Dervishi, Avdyl Murati, Caf Shkodrani, Esat Hoxha, Lekë Vukmarkoviq, Naxhije Alibegu, Medete Brisku, Nikë Marnika, Ali Murati. Në takimin e parë morën pjesë të gjithë përveç Naxhije Alibegut, Esat Hoxhës dhe Ali Muratit të cilët kishin njoftuar më parë për mungesë. Këtu u ndanë detyrat e para për secilin dhe si ditë e demonstratave u vendos të ishte e marta – dita e pazarit dhe se demonstratat t’i fillojnë të rinjtë e klasave VII-VIII dhe ata të viti të parë gjimnaz pasi që nëse diçka shkonte keq ata ligji nuk do të mundte t’i ndjekte penalisht.

Gjthashtu u caktua edhe Këshilli Drejtues i cili kishte për detyrë koordinimin dhe organizimin e demonstratës e që përbëhej prej:Bahri Brisku, Elez Nikeziqi, Bajram Sela, Selatin Bajraktari dhe Qemal Dervishi.

Detyra e Bahri Briskut ishte organizimi dhe mbarëvajtja e demonstratave, Bajram Sela për detyrë kishte përgatitjen e nxënësve të klasave VII dhe VIII dhe nxitjen e tyre për pjesëmarrje sa më masive, Elez Nikeziqi për detyrë kishte zgjedhjen dhe punimin e parullave, Qemal Dervishi kishte për detyrë sigurimin e flamujve shqiptarë si dhe vendosjen e tyre me ndihmën e aktivistëve në majë të Sahat Kullës dhe një tjetri në Kala kurse Selatin Bajraktari për detyrë kishte organizimin e sigurimit të mbarëvajtjes së demonstratave dhe vëzhgimin e lëvizjeve të policisë.

Gjatë bisedës Baca Bahri disa herë përmend se për çdo takim kanë mbajtur proçesverbal por që sot nuk u dihet fati. Si aktivistë që dhanë ndihmesë në përgatitjet paraprake përmend edhe këta ulqinakë: Hilmi Hoxha, Kabil Fici, Xhemal Milla, Hilmi Cungu, Mefit Hoxha, Ali Pelinku, Zyhti Misherri, Enver Lika, Hakush Xhixhoja, Ramazan Lajka, Nasuf Haxhibrahimi, Shyqyri dhe Mujo Mollabeqiri, Nazmi dhe Shaqir Fici, Mefit Mavriqi, Nexhatin Dervishi…

Këshilli Drejtues pesëantarësh i lartëpërmendur për herë të dytë takohen në kafen e Avdyl Muratit më datë 26 maj, në ora 22. Pas raportimit të procesit të përgatitjeve e që konstatohet se po vejnë mbarë marrin vendimin që demonstrata të jetë plotësisht paqësore në mënyrë që të evitohen pasojat ndëshkuese.

Demonstratave tu prijnë së pari të rinjtë e shkollave e pastaj tu bashkohet edhe masa tjetër e qytetarëve të cilët do rrijnë në gadishmëri nëpër dyqanet tregtare të rrugës kryesore.

Takimi i tretë u bë në Kodra më datë 27 maj. Këtu u bisedua për procesin e organizimit dhe gjatë raportimeve u konstatua se disponimi për pjesëmarrje mes të rinjëve ishte jashtëzakonisht i madhë dhe ajo çka u jepte zemër të gjithë organizimit ishte fakti se UDB-a (shërbimi sekret) nuk kishte dijeni për aktivitetin e tyre e kjo i gëzonte sepse përzgjedhja e aktivistëve kishte qenë e duhura dhe asnjë nga familjet e dyshimta.

Në këtë takim vendosin që të përdoren edhe flamujt dhe portretet e Skënderbeut që i kishte marrë në Gjakovë ansambli folklorik i Ulqinit gjatë pjesëmarrjes në kremtimin e 500 vjetorit e Skënderbeut si dhe afati kohor për sigurimin e flamujve dhe parullve ishte katër ditë.

Mbledhja e fundit u mbajt në shtëpinë e Elez Nikeziqit më datë 30 maj 1969 ku përfundimisht u vendos që demonstrata të mbahet më 3 qershor dhe ajo të fillonte me bashkimin e grupeve të nxënësve të cilët do të marshonin drejt lagjes Rana.

Grupi i nxënësve do të dilte nga rruga kryesore e Mëhallës së Re, të ndarë në dy drejtime njëri do të dilte nga sokaku i hoxhiqëve kurse tjetri nga rruga kryesore dhe do të bashkoheshin te Kroni me shkalla ke Xhamia e Mezgjahut.

Ashtu edhe ndodhi më 3 qershor demonstantët defiluan dy herë rrugës kryesore duke brohoritur  parulla si: Duam liri, duam liriJemi Shqipëri – jemi Shqipëri!; Rroftë Kosova heroike!; Poshtë tradhtari Rankoviq!, Rroftë trimi shqiptarë Skënderbeu!; Rroftë Rinia -deri sa si bisha u lëshuan policët me shkopinj gome.

Të rinjtë shpërndahen rrugicave të afërme dhe kalojnë me dëme të vogla. Në këto demonstrata është parashikuar që masa të arrijë në 1000 pjesëmarrës, grupit të parë prej 300 nxënësish menjëherë iu bashkua grupi i organizatorëve dhe aktivistëve të cilët të entuziazmuar nuk mundën të qëndrojnë indiferent por intervenimi i shpejtë i policisë dhe urdhëri i organizatorëve që demonstrata të jetë paqësore bëri që demonstrata të thyhet dhe 87 demonstrues të dërgohen në polici ku pas marrjes në pyetje ata qëndrojnë fortë duke mos treguar shokët e tyre e pasi që ishin të mitur ligji nuk mundte t’i denonte andaj edhe lirohen kurse familjet e tyre dënohen në mënyra të ndryshme.

Atë mbrëmje me urgjencë mblidhet LK e Ulqinit të cilët shumë të indijuar kërkonin fajtorët gjithkund. Policia dhe UDB-a duke dashtë që të mbulojnë paaftësinë e tyre fajin mundohen të ia vëjnë grupit të nxënsëve gjysmëmaturantë nga Tërsteniku i Drenicës që kishin mbrritur më 21 maj në Ulqin për ekskursion dhe ishin vendosur në shtëpinë e Shemsi Pultit përballë shtëpisë së Bahri Briskut.

Këta fëmijë nën udhëheqjen e mësimdhënësve ishin jashtëzakonisht të kulturuar dhe silleshin shumë mirë. Mbrëmjeve mblidheshin në oborr dhe organizonin koncerte ku këndonin këngë të bukura shqiptare. Aty vinin dhe ndalonin edhe të rinjtë ulqinakë dhe frymëzoheshin me këngë të ndryshme si patriotike ashtu edhe lirike.

Fakti se asnjë fëmijë i arrestuar nuk kishte qenë nga grupi i nxënësve nga Tërsteniku nuk i jepte të drejtë policisë e prokurorisë që ndaj tyre të ndërmarrnin masa. Kështu me 3000 dinarë denohet vetëm pronari i shtëpisë ku ata kanë banuar. Pra, dënohet vetëm Shemso Pulti.

Edhe pse në mungesë të fakteve nga puna e largojnë agronomin Elez Nikeziqin, pastaj Bahri Brisku burgoset me vendim të Prokurorisë nr. 205 prej 3.XII.1969 ku dënimin me burg e mbanë deri në tetor të vitit 1970. Hasan Bojku largohet poashtu nga puna kurse Shaban Dollaku largohet nga LKJ dhe nga puna si drejtor banke në Ulqin.

Vendosen masa të rrepta në qytet, ndalohen grumbullime me më shumë se tre veta, vendoset të hiqen emërtimet shqipe nga lokalet dhe tabelat e ndryshme. Përshkak të fillimit të sezonit turistik gradualisht situata zbutet por që grupi organizativ i demonstratave vazhdon punën në ilegalitet duke shpërndarë kohë pas kohe afishe të ndryshme me përmbajtje patriotike.

Demostratat e nxënësve të 3 qershorit të vitit 1969 në Ulqin, strukturat shtetërore i zunë të papërgatitura. Ata në panikë u munduan që fajin tua vënë nxënësve nga Kosova por fakti që 87 familje ulqinake u dënuan si dhe futja në burg e Bahri Briskut pa argumente si organizator i demonstratave është dëshmi se në Ulqin gjithmonë ka rrahë damari shqiptar i patrotizmit.

Sot pas shumë vitesh jo vetëm për dajën tim Aliun i cili i pari më tregoi për ngjarjen por jam krenar për të gjithë ata ulqinakë që dëshmuan atdhedashurinë dhe patriotizmin e tyre e veçanërisht për grupin organizator të përmendur në fillim të tekstit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar se gjatë ditës së…