Dënohet sulmi ndaj gazetarëve në Leposaviq

17 qershor 2023 | 08:46

Policia e Kosovës njoftoi se, të premten, më 16 qershor, në Leposaviq “janë sulmuar fizikisht, në mënyrë brutale, disa gazetarë të mediave të ndryshme të Kosovës”.

Sipas policisë gazetarët po përcillnin vizitën e ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, te kryetari i komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi.

Ngjarja ka ndodhur në afërsi të objektit të Komunës së Leposaviqit, ku sipas policisë, individë apo grupe kriminale kanë hedhur “një mjet, dyshohet shok bombë, si dhe janë sulmuar fizikisht, në mënyrë brutale, disa gazetarë të mediave të ndryshme të Kosovës”.

Policia e Kosovës, përmes një njoftimi ka thënë se në bazë të informacioneve që ka deri më tash “bëhet fjalë për nëntë gazetarë të sulmuar të cilët kanë qenë me detyrë zyrtare duke përcjellë zhvillimet pranë komunës së Leposaviqit”, ku disa prej tyre përveç shqetësimeve kanë pësuar edhe lëndime të ndryshme trupore, si dhe kanë pranuar tretman mjekësor.

“Përveç sulmeve fizike dhe dhunës së ushtruar ndaj gazetarëve, atyre iu janë dëmtuar pajisje të ndryshme të xhirimeve, ku njërit prej tyre iu është grabitur kamera zyrtare e mediumit, përderisa tjetrit iu është grabitur një telefon celular”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Sulmet ndaj gazetarëve, Policia e Kosovës i ka cilësuar si “pengim në kryerjen e detyrës, cenimi i shprehjes së lirë, pengimi i pasqyrimit të situatës reale”.

“Sulmet e dhuna fizike, si dhe dëmtimi i automjeteve dhe i pajisjeve zyrtare janë veprime kriminale të cilat do të hetohen nga Policia e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës, e cila ka shtuar se në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, tashmë janë iniciuar rastet “sulm ndaj personave zyrtar, asgjësim apo dëmtim i pronës dhe lëndim trupor”.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka njoftuar se ekipet e gazetarëve nga Prishtina “kanë qenë cak i një sulmit brutal” nga protestuesit në Leposaviq, derisa ata po kryenin punën e tyre.

Sipas AGK-së, kameramani i shërbyesit publik, Radio Televizionit të Kosovës, Bardh Bekteshi është sulmuar fizikisht dhe ka marrë lëndime të rënda në kokë e trup.

“Përveç sulmit fizik, Bekteshit i është thyer edhe kamera e xhirimit”, thuhet në njoftimin e AGK-së.

Ky asociacion ka publikuar dhe një video ku shihet sulmi ndaj gazetarëve në Leposaviq.

Sipas një deklarate për AGK-në, gazetarja Venera Xhoxhaj, ka treguar se protestuesit i kanë gjuajtur me gurë ekipet e mediave, Tëvë1, RTV Dukagjini, RTK, Klan Kosova dhe KTV.

“Na kanë gjuajtur me gurë, disa kolegë derisa kanë qenë duke u larguar, janë rrëzuar, dhe kameramanit tonë, Bardh Bekteshi, e kanë shtyrë duke e rrëzuar pastaj edhe sulmuar fizikisht duke i shkaktuar lëndime në kokë dhe trup””, ka thënë Xhoxhaj për AGK-në.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, i bënë thirrje urgjente Policisë së Kosovës, dhe prezencës ndërkombëtare në këtë komunë, që t’u ofrojnë siguri gazetarëve dhe kameramanëve të cilët janë duke qëndruar në atë komunë”, thuhet në reagimin e AGK-së, e cila e ka dënuar ashpër sulmin.

AGK-ja ka njoftuar se lëndime trupore ka marrë edhe Albin Rrahmani, kameraman i Tëvë1.

“Në mesin e gazetarëve të lënduar është edhe kameramani Albin Rrahmani, i cili ka pësuar lëndime në këmbë. Aktualisht, ekipi është duke dhënë deklaratë në Policinë e Kosovës”, ka thënë AGK -ja.

Ky asociacion ka njoftuar se në mesin e të lënduarve është edhe gazetari i Arbresh.info, Pleurat Salihu, të cilit sulmuesit ia kanë thyer krahun. Ndërkaq, gazetarja e RTV Dukagjinit, Dorentina Thaqi, është sulmuar me gurë në kokë.

Gazetarët e lënduar, sipas AGK-së, kanë marrë ndihmën e parë mjekësore sapo kanë arritur të dalin nga, siç e kanë quajtur “zona e rrezikut”.

Në njoftimin e saj, AGK-ja gjithashtu ka theksuar se sulmi ndaj gazetarëve në Leposaviq, ka ndodhur , në prani të trupave të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

“…të njëjtit nuk kanë reaguar, por i kanë penguar gazetarët të ikin”, ka thënë AGK-ja, duke shtuar se kërkon nga KFOR-i që të mos i pengojnë gazetarët gjatë raportimit, “meqë siguri nuk po ju ofrojnë”.

AGK-ka ka thënë se për të gjitha sulmet ndaj gazetarëve, të cilat kanë ndodhur gjatë raportimeve të tyre nga veriu i vendit, do t’i informohen organizatat ndërkombëtare që merren me sigurinë e gazetarëve dhe lirinë e medias.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përmes një shkrimi në Twitter, ka reaguar lidhur me sulmin ndaj gazetarëve në veri të Kosovës.

Ajo ka thënë se gazetarët u sulmuan brutalisht nga, siç i ka quajtur ajo, bandat kriminale.

Osmani ka theksuar se “ata që kanë kryer këto sulme duhet të përballen me drejtësinë” dhe se “përpjekjet e tyre për të destabilizuar Kosovën do të dështojnë”.

“Këto akte të tmerrshme të dhunës së vazhdueshme duhet të dënohen nga të gjithë. Sundimi i ligjit do të mbizotërojë”, ka shkruar Osmani.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjithashtu ka dënuar sulmin ndaj gazetarëve në veri të vendit, duke i cilësuar si të papranueshme.

“Sulmet fizike ndaj atyre që raportojnë nga terreni janë absolutisht të papranueshme dhe duhet të dënohen nga të gjitha palët që përndryshe janë të zëshme për situatën”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Sulmet ndaj gazetarëve në Leposaviq, i ka dënuar edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

“Dënojmë sulmet e vazhdueshme ndaj gazetarëve në veri të Kosovës, duke përfshirë edhe sot. Ne përsërisim thirrjen tonë që mediat të jenë në gjendje të punojnë pa dhunë dhe frikësim”, thuhet në një postim të kësaj ambasade në Twitter.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë…