Denveri regjistron fitoren shtatë radhazi

08 prill 2021 | 13:21

Në NBA është momenti i Denver Nuggets. Skuadra nga Colarado mori fitoren e shtatë rresht pasi mposhti në “Pepsi Center” me rezultatin 106-96 San Antonio Spurs.

Denveri diferencën në këtë sfidë e bëri në periodën e dytë dhe të tretë, ndërkohë që Nikola Jokiq më i miri mbi parket për skuadrën e trajnerit Michael Malone iu afrua shumë një triple-double duke koleksionuar në total 25 pikë, 9 topa të rikuperuar poshtë tabelës dhe 10 pasime vendimtare.

Për Nuggets kjo ishte fitorja e 33-të në këtë sezon, me Denverin që pozicionohet në vendin e katërt në Perëndim, por po kërcënon edhe Clippersat në garën për vendin e tretë. Vijon forma e shkëlqyer e Brooklyn Nets që morën fitoren e 14-të në 17 ndeshjet e fundit teksa kaluan lehtësisht New Orleans Pelicans në Barclays Center me rezultatin e thellë 139-111.  Dëmtimi i James Harden nuk u ndje aspak në këtë sfidë pasi skuadrës nju-jorkeze i janë rikthyer në dispozicion afrimi më i fundit LaMarcus Aldridge dhe Kevin Durant.

Irving me 24 pikë ishte pikëshënuesi më i mirë i Brooklyn ndërsa një dorë në këtë fitores skuadrës së Steve Nash ia dhanë edhe Aldridge me 22 pikë dhe Durant me 17 pikë. Në derbin teksan buzëqeshi Houston Rockets që kaloi me rezultatin 102-93 Dallas Mavericks në “Toyota Center”. Te Rockets u ndje menjëherë dora e blerjes së bujshme John Wall autor i 31 pikëve në këtë duel, ndërkohë që 46 pikët e dyshes Luka Donqiq-Kristaps Porzingis nuk i mjaftuan Dallasit për të evituar këtë disfatë. Dueli më spektakolar i mbrëmjes së NBA ishte ai që u zhvillua në Arizona mes dy skuadrave kryesuese të Konferencës së Perëndimit. Phoenix Suns arriti të mposhte Utah Jazz pas kohës shtesë me rezultatin 117-113.

41 pikë realizoi Donovan Mithcell për Utah por në fund buzëqeshi Davon Booker që me 34 pikët e tij udhëhoqi Phoenix drejt suksesit, i ndihmuar padiskutim edhe nga 29 pikët e ekspertit Chris Paul. Por pavarësisht kësaj fitoreje të Suns dhe humbjes së dytë rresht që pësuan Jazz, vendi i parë në Perëndim vazhdon të mbahet nga Utah. /SS/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Irlandës Veriore, me bazë në Belfast, ka organizuar…