
Deputetët në Strasburg argumentojnë pse Kosova duhet të anëtarësohet në KE
Një delegacion i Kuvendit të Kosovës ka qëndruar të premten në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (KE), i cili është pritur nga presidenti i kësaj asambleje, Tiny Kox.
Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri dhe ai i Partisë Demokratike Turke të Kosovës, Enis Kervan ishin pjesë e delegacionit.
Sipas njoftimit të Musliu-Shoshit, ata kanë folur për të arriturat e Kosovës në disa fusha, derisa ka thënë se kanë dhënë argumente për anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Sot, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, si delegacion i Kuvendit të Kosovës u pritem nga presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, z. Tiny Kox. Gjatë takimit prezantuam të arriturat e Kosovës në fushën e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit, si dhe argumentuam anëtarësimin potencial të Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka shkruar ajo në llogarinë e vet në “Twitter”.
Pas përjashtimit të Rusisë nga Këshilli i Evropës, e cila ka nisur agresionin në Ukrainë, Kosova ka shtuar përpjekjet për t’u bërë anëtare e organizatës që promovon të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë.