Deputeti Qalaj: Me koeficientin e ri, drejtori i policisë do të marrë 500 euro më pak

08 shkurt 2023 | 19:17

Ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, tash deputet i PDK-së, e ka kritikuar vlerën e koeficientit të pagave të vendosur nga Qeveria e Kosovës.

Vlera e koeficientit 105 euro, sipas tij nuk është e mjaftueshme, madje sipas tij me këtë vendim të Qeverisë janë ulur pagat për shumë punëtorë të sektorit publikë e sidomos të Policisë së Kosovës.

Ai në “RTV Dukagjini”, ka thënë se paga bruto e drejtorit të përgjithshëm të policisë me ligjin e ri do të jetë 500 euro më pak.

Kurse, zëvendësdrejtori do t’i marrë 467 euro të pagës bruto më pak.

“Ka raste që në shumë njësi dhe në grada ka zbritje të madhe të pagave, ka bërë një zbritje të pagës për drejtorin e përgjithshëm, drejtori tani nëse i krahasojmë pagën bruto të kaluar dhe tani, i takojnë 500 euro pagë bruto më pak.

Zëvendësdrejtori i merr 467 euro më pak, drejtori i departamentit 437, koloneli 274, nënkoloneli 169 e kështu me radhë. Policët e njësisë elite fit, ata i marrin 171 euro më pak. Është e papranueshme”, ka thënë ai.

Ky koeficient sipas tij është i papranueshëm, sepse sipas tij nuk siguron mirëqenie te punëtorët e sektorit publik.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ekipet e Kërkim-Shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës që…