Deputetja britanike Kearns sheh nga afër armatimin e konfiskuar pas sulmit terrorist në veri
Deputetja britanike, Alicia Kearns është duke qëndruar në një vizitë zyrtare në Kosovë.
Së fundmi, ajo ka parë nga afër armatimin e konfiskuar nga Policia e Kosovës pas sulmit në Banjskë të Zvecanit, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.
Kështu ka bërë të ditur ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili ka falendëruar deputeten Kearns.
“Kisha kënaqësinë që së bashku me Policinë e Kosovës të presim deputeten e nderuar dhe kryetaren e Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Britanik, Alicia Kearns. Së bashku me znj. Kearns vizituam dhe pamë nga afër armatimin e konfiskuar pas aktit terrorist të tentim-aneksimit të veriut të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.
Tutje ministri ka shtuar se kanë falendëruar deputeten për rastin e deklarimit që objektet fetare dhe autoambulancat në veri të Republikës së Kosovës po përdoreshin për transport dhe vendstrehim të armatimit nga strukturat kriminale.
“Gjatë kësaj vizite Kearns pati rast të takojë dhe zyrtarë policorë me të cilët pati rastin të bisedojë rreth sfidave por dhe mundësive për të kontribuar në luftimin e krimit dhe rritjen e sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallim.
Pak kush ka mbajtur një qëndrim kaq të fort dhe të drejtë në këto kohë si Alicia Kearns, andaj i jemi mirënjohës për rolin e saj në mbrojtje të së drejtës dhe të së vërtetës”, thotë mes tjerash ministri.
Deputetja britanike ka zhvilluar disa takime me udhëheqësit e institucioneve në Kosovë.