Deputetja e LDK-së: Rritja e çmimeve është bërë pandemi e dytë

15 mars 2022 | 13:55

Qeveria e Kosovës po reagon me vonesë dhe pa takt ndaj krizave, me të cilat së fundi po përballet Kosova, qoftë atë energjetike, apo tani me atë të rritjes së çmimeve, ka thënë deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, teksa prezantoi temën për të cilën u thirr seanca e jashtëzakonshme parlamentare që po mbahet sot.

“Rritja e çmimeve është bërë pandemi e dytë. Nuk ka produkt të cilit nuk i ka lëvizur çmimi. Inflacioni mbetet një nga kërcënimet kryesore të rimëkëmbjes së shpejt dhe të rënies së fuqisë blerëse për qytetarët tanë”, ka thënë deputetja Bajrami.

Ajo ka thënë se Qeveria e Kosovës ka shkelur Kushtetutën, duke ndërhyrë në tregun e lirë, me qëllim që të zbusë ndikimin e rritjes së çmimeve.

“Duhet të menaxhoni me kriza të tilla. Me ndërhyrjet tuaja po shkaktoni dëme – ekonomisë dhe qytetarëve, duke maksimalizuar dëmet”, ka deklaruar ajo.

Ndërkaq, ajo përmendi rritjen e çmimeve të karburanteve dhe të vajit. Te rasti i fundit, ajo pranoi se disa kompani e kanë keqpërdorur situatën, por tha se ekzekutivi nuk duhet ta godasë të gjithë sektorin privat.

“Ngritja e çmimit të karburanteve ndikoi që brenda disa ditësh të kemi ngritje eksponenciale për shumë artikuj që janë esencial për jetën e qytetarëve. Sa i përket rritjes së çmimeve të karburanteve, disa vende hoqën apo zvogëluan akcizën, bashkë me të edhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për t’u dalë sadopak në ndihmë qytetarëve. Qeveria jonë nuk bëri asgjë. Qeveria e mori një vendim për marzhën e kufizimit të përfitimit për naftëtarët 4 dhe 6 për qind”, ka thënë Bajrami.

Bajrami kritikoi edhe reagimin e Qeverisë për krizën energjetike dhe tha se këtë muaj do të ndihet pesha e rritjes së tarifave të energjisë elektrike dhe e ftoi që të marrë praktikat e shteteve në rajon që qytetarët ta tejkalojnë më lehtë krizën me energjinë dhe rritjen e çmimeve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partitë opozitare: Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës…