“Der Standard”: Serbia ta harrojë ndarjen e Kosovës

18 mars 2018 | 16:30

Marrëveshja në mes të Kosovës dhe Serbisë do të cilësohet si historike, pasi do të lë pas të gjitha mosmarrëveshjet që ekzistojnë ndërmjet dy shteteve.

Ajo duhet të vuloset nga fundi i mandatit të Komisionit Evropian, vitin e ardhshëm.

Përgjegjëse për këtë është shefja e politikës së jashtme e Bashkimit Evropian (BE), Federica Mogherini, e cila kohët ë fundit është parë e vendosur se marrëveshja mes Beogradit dhe Prishtinës mund të nënshkruhet vitin e ardhshëm, ka shkruar prestigjiozja austriake “Der Standard”.

Sipas kësaj gazete, së shpejti pritet të zhvillohen dhe bisedimet në nivel të lartë, në mes të presidentëve të Serbisë dhe Kosovës, Aleksandër Vuçiq dhe Hashim Thaçi për të vazhduar me dialogun.

Në pranverë është planifikuar një takim gjatë një samiti. Në fazat e hershme të përgatitjeve për marrëveshjen, secila palë përpiqet të pozicionojë veten.

Ideja e ndryshimit të kufijve

Ideja e ndryshimi të kufirit është një çështje e mundshme. Qëndrimi për ndryshimin e kufijve është përforcuar dhe nga ministri i Jashtëm pro-rus i Serbisë, Ivica Daçiq. Ai është duke u lutur për ndarjen e Kosovës në dy pjesë, në atë serbe dhe shqiptare.

Kjo do të thotë “de-facto” se veriu i Kosovës, ku jetojnë kryesisht serbët, do të ndahej nga Kosova.

Daçiqi madje e ka quajtur këtë si “zgjidhje e vetme afatgjatë dhe reale”. Edhe presidenti Vuçiq, ka thënë se të gjitha opsionet të jenë të hapura.

Në fakt, Vuçiqi dhe Thaçi kanë “marrëdhënie” të ngushta me njëri-tjetrin, dhe shpesh herë shkëmbejnë edhe telefonata.

Ndarja e Kosovës do të kundërshtohej në mënyrë të qartë nga Kushtetuta e saj, ndërsa shumë shqiptarë, kur flitet për veriun e Kosovës, e shikojnë si një mënyrë për të hequr qafet problemet. Megjithatë, kjo do të rrëzonte gjithë ndërtimin e Kosovës multietnike. Kjo është arsyeja pse qeveria gjermane ka ndërhyrë.

“Prapaskene u tha qartë se nuk ka negociata përtej kufijve. Kjo do të sillte një rrezik, dhe të dy shtetet të komunikojnë me njëri-tjetrin në një rrugë tjetër”, ka thënë një diplomat gjerman për “Der Standard”.

Mesazhi nga Berlini

Ndërkohë Vuçiqi, kuptohet se e ka marrë mesazhin e Berlinit. Nga ana kosovare, njëri ende ka problemin e formulimit të qëllimeve të veta.

Megjithatë, ka forca që hedhin një sy pas Luginës së Preshevës, e cila është në kufi me Serbinë e Kosovën, por ku jetojnë shumë shqiptarë. Gjithashtu, flitet për shkëmbim territoresh.

Për BE-në është e rëndësishme që ka një dokument final dhe jo vetëm një marrëveshje të përkohshme, dhe se kjo është ligjërisht e detyrueshme ndërkombëtare. Ata nuk duan të sjellin një problem të dytë, si Qipro në BE.

Kjo është arsyeja pse Serbia e ka detyrim me këtë marrëveshje të njoh kufirin e vendit fqinj, Kosovës, duke mos parandaluar Kosovën në anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare, siç janë Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Pranimi, jo njohja

Sigmar Gabriel, derisa ishte ministër i Jashtëm i Gjermanisë, kohët e fundit ka deklaruar qartë linjat gjatë vizitës së tij në Prishtinë.

“Serbia duhet ta pranojë shtetin e Kosovës. Nëse Serbia dëshiron të shkojë përpara drejt Bashkimit Evropian, vendosja e sundimit të ligjit është kushti i parë, por edhe pranimi i pavarësisë së Kosovës”, ka thënë ai.

Gabrieli nuk fliste për njohjen e pavarësisë, e cila është raportuar gabimisht nga mediet. Nuk ka të bëjë me një çështje formale, por me një njohje indirekte.

Por madje edhe Daçiqi e ka keqkuptuar ministrin gjerman. “Njohjen e Kosovës ta shikojnë në ëndërr. Gabrieli mund të thotë çfarë të dojë, asgjë nuk do të vijë”, pati thënë Daçiqi.

Për kosovarët anëtarësimi në Kombet e Bashkuara është i rëndësishëm, i cili deri më tani është ndalur nga vota kundër e Rusisë dhe Kinës në Këshillin e Sigurimit.

Nuk është e qartë nëse Rusia dhe Serbia do të pajtohen me anëtarësimin e Kosovës në OKB, për të tërhequr votën kundër. Brenda Komisionit të BE-së, është një ndjenjë optimizmi për këtë pikë.

Në muajt e fundit është diskutuar gjithashtu nëse Rusia dhe ShBA-ja duhet të ulen në tryezë në përfundim të marrëveshjes së propozuar. Ka zëra se Serbia do t’i jap Moskës një rol të madh dhe ajo shikohet si më pro-ruse dhe jo pro-evropiane.

Nga ana tjetër mbështetësi më i rëndësishëm i Kosovës shihet të jetë ShBA-ja. Por, nënpresidenti i ShBA-së, Mike Pence, ka thënë se një zyrtar i BE, tashmë e ka bërë të qartë se ShBA-ja nuk ka interes të luajë një rol këtu. Një zyrtar tjetër madje, ka përjashtuar se ShBA-ja dhe Rusia mund të përfshihen.

Parimet e ligjit ndërkombëtar

Ndarja e shtetit të Kosovës do të kundërshtonte jo vetëm kushtetutën kosovare, por edhe të gjitha përpjekjet politike të Perëndimit në 25 vitet e fundit, për të mos organizuar shtetet e Ballkanit përgjatë vijave etnike.

Shpërbërja e Jugosllavisë është udhëhequr nga parimi i së drejtës ndërkombëtare “uti possidetis”, që do të thotë se kufijtë e ndërsjellë ndërkombëtarë në territorin e shteteve të sapo lindura duhet të korrespondojnë me kufijtë administrativë tashmë ekzistues në kohën e pavarësisë. Në rastin e Jugosllavisë, këto ishin republikat, në Kosovë kufijtë e mëparshëm të krahinës autonome.

“Karta etnike” në lidhje me Kosovën, së fundmi i ka vënë “flakën” dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Gjatë vizitës së tij në Prishtinë për përvjetorin e Pavarësisë, ai ka sugjeruar se “Shqipëria dhe Kosova mund të ketë një president të përbashkët”, si një shenjë e unitetit kombëtar dhe të një politike të përbashkët të sigurisë kombëtare. Kjo deklaratë e Ramës ka nxituar frikën në rajon që mund të krijohet “Shqipëria e Madhe”.

Para së gjithash, bëhet fjalë për Serbinë që të bëjë një marrëveshje të tillë ligjërisht të mundshme.

Deri më tani, në Kushtetutën e Serbisë, Kosova është pjesë e saj.

Nga Zyra e Presidencës serbe duhet të thuhet se një referendum do të jetë i nevojshëm nëse qytetarët do të ishin të gatshëm ta bënin këtë. Ndërkohë, në Serbi po zhvillohet i ashtuquajturi “dialog i brendshëm”.

E ringjallur si një çështje kombëtare

Marko Gjuriq, i ashtuquajtur drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, e cila është përgjegjëse për “dialogun e brendshëm” në qeverinë serbe, ka folur për qindra anëtarë të shquar që janë të përfshirë. Shpesh bëhet fjalë për mendime kontradiktore në diskutim.

“Unë do të thosha se ky format na ka treguar kompleksitetin e problemit që ne përballemi. Por ka pasur edhe disa propozime interesante që nuk mund të dëgjohen në publik deri më tani. Në fund të fundit është se dialogu për Kosovë dhe Metohi është ringjallur si një çështje kombëtare në qarqet më të gjera dhe jo si një problem i elitës politike apo partive në pushtet”, ka thënë Gjuriqi për “Der Standard”.

Deri tani, ekspertë nga fusha e së drejtës, mjekësisë, sigurisë, marrëdhënieve ndërkombëtare, biznesit dhe disa partive politike kanë marrë pjesë në dialog. Gjuriqi ka theksuar se ai gjithashtu dëshiron të dëgjojë qëndrimin e Kishës Ortodokse. Kur është fjala për referendumin, nuk do të bëhet fjalë për njohjen e Kosovës.

I habitur nga katalanasit

Sa i përket marrëveshjes me Kosovën, Gjuriqi ka thënë se nuk ka as ndonjë ide të tillë, as që mund të parashikohet se çfarë do të thotë BE me këtë.

“Është e qartë se BE-ja nuk ka asnjë qëndrim të qartë mbi pavarësinë e njëanshme të Kosovës, siç dëshmohet nga Strategjia e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor, por përkundër të gjitha shqetësimeve në BE për këtë çështje, nuk ka dyshim se ka një zgjidhje të qëndrueshme për stabilitetin e kësaj pjese të Evropës”, ka thënë ai.

Gjuriqi ka folur tërthorazi dhe për Spanjën, e cila është tronditur nga katalanasit separatistë.

Çështja e Kosovës gjithnjë e më shumë është duke sjell probleme. Së fundi, Ministria e Jashtme e Spanjës, ka kundërshtuar Strategjinë e zgjerimit të BE-së, së bashku me pesë shtetet e tjera të Ballkanit, si një kandidat potencial në BE.

Gjithashtu për samitin e planifikuar në Sofje, jo vetëm për 28 vendet e BE-së, por edhe gjashtë kandidatët e BE-së janë të ngarkuar që të dalin me një zgjidhje kreative, për shkak se Spanja është kundërshtare lidhur me praninë e Kosovës.

Përfaqësuesit serbë gjithnjë e më shumë pranuan që vitet e fundit të shfaqen krah për krah me përfaqësuesit e Kosovës.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Herolind Nishevci ka përfunduar në vendin e pestë të Premier…