Dëshmitari Rrahmanaj ankohet për trajtimin që i është bërë në Hagë
Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari Ahmet Rrahmanaj, ka kërkuar që t’i ndahet kohë që të flas lidhur me procesin si dhe trajtimin që i është bërë atij në Hagë, në mënyrë që ta paraqes si shqetësim çështjen e trajtimit.
“Kam dëshirën që një prej kohëve të ndahet që ta them fjalën time edhe për këtë proces e në veçanti të them fjalën time për trajtimin tim këtu. Kam një ankesë dhe kërkoj prej kohës që të ma ndani që të paraqes shqetësimin tim”, ka thënë dëshmitari.
Lidhur me këtë, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, i ka thënë dëshmitarit Rrahmanaj se do t’i jepet hapësira e nevojshme pas pyetjeve të palëve, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Përpara kësaj, dëshmitari ka thënë se ai ka qenë ushtar i thjeshtë dhe se në kohën sa ishte pjesë e UÇK-së nuk e dinte që kishte një shtab të përgjithshëm i UÇK-së.
Ai ka thënë se në shtator të 1998-ës ishte larguar nga Kosova për në Slloveni deri në korrik të 1999-ës.
Dëshmitari Rrahmanaj, ka thënë se prej vitit 1991-’92 kanë filluar që të bëjnë kujdestari të fshatit e po ashtu secili fshat ishin mobilizuar për luftë dhe mbrojtje të familjeve të tyre.
Po ashtu, ai ka thënë se gjatë periudhës së prillit të ’98-s nuk kanë pasur hierarki.
“Derisa ishim të vetorganizuar, atëherë nuk kishim përgjegjësi për t’i raportuar dikujt më lartë. Ne ishim ata që kishim bashkëpunuar me njëri-tjetrin dhe vendosshim ne si individë. Kjo është e saktë”, ka thënë Rrahmanaj.
Ai ka pohuar se nuk ka pasur komunikim me fshatrat e tjera, se kanë qenë vullnetarë dhe se nuk i kanë raportuar askujt për veprimet e tyre.
Rrahmanaj ka pohuar se pjesë e Policisë Ushtarake ishte bërë në qershor të 1998-s dhe se udhëheqës ishte Jakup Hoti pasi sipas tij, ai ishte më i përgatitur dhe më në moshë.
Dëshmitari ka thënë se Hoti nuk ka qenë i obliguar që të raportojë diku dhe se raportimet janë bërë vetëm mes atij, Hotit dhe personit tjetër që ishin pjesë e Policisë Ushtarake në Zonën e Malishevës.
Ndërsa për rastet e kolaboracionistëve të cilësuar nga UÇK-ja që ka folur sot në Hagë, Rrahmanaj ka thënë se vetëm i kishte dëgjuar pasi kishin ndodhur kur ishte larguar nga Kosova.
Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të viktimave, avokatit Simon Laws, dëshmitari ka thënë se Malisheva sipas mendimit të tij ka qenë vend i sigurt për serbë civilë, ndërsa për forcat serbe jo.
Rrahmanaj ka theksuar se nuk ka dijeni që disa burra serbë që i kanë dërguar në Malishevë dhe i kanë vrarë pasi i kanë larguar nga atje.
“Këtë nga ZPS-ja e kam dëgjuar. Kurrë më parë”, ka thënë dëshmitari, duke shtuar se nuk e ka ditur që ata kanë qëndruar por që janë gjetur trupa është në dijeni.
“S’kisha dëgjuar ndonjëherë që këta burra janë mbajtur në Malishevë. Për pjesën që gjenden kam dëgjuar përmes mediave dhe aty kam kuptuar që janë gjetur viktima serbe të vrarë. Nga kanë ardhur nuk e di”, ka thënë dëshmitari.
Rrahmanaj është pyetur se a e kishte pyetur Jakup Hotin, Haxhi Shalën ose Isni Kilajn se a janë mbajtur burra serbë në Malishevë, të cilët më pas janë vrarë.
“Haxhi Shalën nuk kam pas rastin ta pyeti për shkak se kemi pas dallime edhe në luftë edhe në politikë. S’kam pas rast”, ka thënë dëshmitari, duke shtuar se as Jakup Hotin nuk e ka pyetur.
Dëshmitari ka thënë se Isni Kilajn e kishte deri diku shok për shkak që sipas tij politika i ka ndarë. Ai ka thënë se nuk është në etikën e tij që të pyes dhe të marrë informata për sipas tij “gjëra koti” dhe gjëra që atij s’i përkasin.