DËSHMORI I KOMBIT AGIM BAJRAMI DHE LIRIA

05 dhjetor 2018 | 11:02

Prof. dr. Emin Kabashi
Këshilltar shkencor
Instituti Albanologjik i Prishtinës

(Kushtuar idealit të heroit që sakrifikon jetën për liri)

Kur atdheu thërret për liri, gjithmonë i bëhen krahë ata dhe ato, të cilëve jeta ua ka mësuar shkollën e madhe – Atdheu mbi të gjitha. Një nga ata luftëtarë të lirisë, që ishte në radhët e para të thirrjes së atdheut, ishte dëshmori i kombit, Agim Bajrami. Idealin e luftës për liri dhe shkollën e madhe të jetës, se atdheu është mbi të gjitha, e kishte mësuar nga historia e familjes, nga historia e gjeneratave para tij, nga historia e tokave të pushtuara shqiptare, andaj as nuk i kishte ardhur nga qielli, as nuk i kishte mbirë nga toka.

Sepse, ndonjëherë, kur flasim dhe shkruajmë për ata që janë bërë shenja të lirisë së atdheut, kur flasim për ata që me rënien e tyre, kanë hapur procesin e madh kombëtar, krijohet bindja, pa dashur, thuajse çdo gjë e kanë gjetur të gatshme, thuajse rrugës për të dhënë jetën për liri, kanë mësuar vetëm të ecin drejt saj, thuajse e kanë pasur të parathënë, që me rënien e tyre, do të bëhen pjesë e kujtesës sonë kombëtare.

Hyrje

 Kush ishte Agim Bajrami? Cila ishte lufta e Agim Bajramit? Dëshmorit të Kombit, Agim Bajramit, nga Stagova e Kaçanikut legjendar, rrugën për ardhjen e lirisë ia kishte mësuar jo vetëm historia e familjes, dhe e familjeve të tjera atdhetare të Kaçanikut, por edhe heroizmi shekullor i shqiptarëve, që nga Arbëria e Skënderbeut e deri te qëndresa heroike e Idriz Seferit.

Por, përkundër gjithë atyre luftërave për liri, përkundër gjithë asaj sakrifice shekullore, atdheu i dëshmorit Agim Bajrami ishte i copëtuar dhe ishte i pushtuar. Prandaj, duhej lufta e tij, që edhe në këtë pjesë të atdheut të vinte liria, prandaj duhej edhe rënia e tij, që të bëhej realitet çlirimi i kësaj pjese të gjeografisë së Atdheut, e të bëhej sërish mësim jetësor i të gjithë brezave që do të vijnë, se atdheu është mbi të gjitha.

Dëshmori i Kombit, Agim Bajrami, që nxënës i shkollës së mesme kishte bërë hapat e parë në luftë kundër pushtuesit. Që nga ato vite të rinisë së hershme, ai do të përballej, jo vetëm me padrejtësitë historike që ia kishin shkaktuar të tjerët atdheut të tij, prandaj edhe Kaçanikut të tij, por do të përballej edhe me torturat fizike e shpirtërore, që ishin mjete dhune të pushtuesit dhe veglave të tij për ta mbajtur sa më gjatë këtë pjesë të popullit shqiptar në robëri.

Dëshmori i Kombit, Agim Bajrami dhe ideali i luftës për liri

 Çka të thuhet më tepër për rrugën jetësore të Agim Bajramit, nga ato që ka thënë bashkëshortja dhe bashkëluftëtarja e tij, zonja e nderuar Zarie Bajrami. Çka të thuhet për rrugën e veprimtarisë së tij, edhe ilegale, edhe luftarake, pas asaj që kanë shkruar për të, bashkëveprimtarët dhe bashkëluftëtarët e tij.

Megjithatë, në këtë vit, të përvjetorit të rënies së tij, mund të thuhet se Agim Bajrami, ishte rritur, ishte shkolluar, ishte bërë pjesë e veprimtarisë atdhetare ilegale, ishte bërë ushtar i lirisë, edhe për faktin se kujtesa e tij e ideologjisë kombëtare, ishte formësuar duke dëgjuar të parët e tij, bashkëfshatarët e tij, shokët e idealit dhe miqtë e familjes, për padrejtësitë historike që shekujt ia kishin bërë popullit shqiptar.

Andaj, nuk është gjë gand dhe e rastit, se ai edhe organizatës së tij, atje në Zvicrën e largët nga istikamet e ardhshme të Luftës së UÇK-së, i kishte bërë letër që t’i mundësohej e të kthehej në atdhe, të vinte dhe të bëhej pjesë e luftës për liri.

Andaj, nuk është gjë gand dhe e rastit, se edhe kur ishte i burgosur, edhe kur torturat çnjerëzore bënin përpjekje ta thënin shpirtin e tij, ai jo vetëm i kundërshtonte ata, por edhe nuk e fshihte përpjekjen e tij që me luftë do të çlirohej kjo pjesë e atdheut, që quhej Kosovë.

Andaj, nuk është gjë gand dhe e rastit, kur pas rënies së Komandantit Legjendar, Adem Jasharit dhe familjes së tij heroike, ai bashkë me luftëtarë të tjerë të lirisë, marrin rrugën e ardhjes, jo vetëm për të luftuar, por edhe për të përgatitur të tjerët për luftë kundër pushtuesit.

Këto dhe karakteristika të tjera të veprimtarisë së tij atdhetare, bëjnë atë figurën e madhe karakterologjike të heroit, i cili nuk vë asgjë para atdheut, as familjen, as fëmijët, as jetën e tij.

Dhe, Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishte në radhët e saj shumë djem dhe vajza që ishin po ashtu, kaq të gatshëm të sakrifikon çdo gjë, edhe jetën, për lirinë e kësaj pjese të atdheut. Pra, ai nuk ishte i vetëm.

Edhe ditën e rënies, pas një qëndrese heroike, bashkë me të në altarin e lirisë, bien edhe Dëshmorët e kombit, Xheladin Kurtaj dhe Besnik Begunca. Do të thotë, bashkë me komandantin e tyre, bien edhe luftëtarët e lirisë, për ta jetësuar me shembuj se atdheu është mbi të gjitha.

 Të rënët për liri janë shkolla e madhe e jetës e dashurisë ndaj atdheut

Çka do të ndodhte me kujtesën kombëtare të Agim Bajramit, pa ngjarjet e mëdha të Arbërisë së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, pa luftërat e tij me Perandorinë më të madhe në botë të asaj kohe, luftëra që kishin zgjatur afro 30 vjet.

Çka do të kishte ndodhur me kujtesën historike të Dëshmorit të Kombit, Agim Bajrami, pa luftërat dhe rëniet e gjyshërve, baballarëve dhe vëllezërve të tij dhe të trimave të tjerë të Kaçanikut?

Këto nuk janë dilema. Janë pyetje për të sqaruar një fakt të vogël historik, se asgjë nuk ka pikur nga qielli në jetën dhe idealin e luftës për liri të luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Bajrami. As nuk e kishin përgatitur qendrat stërvitore të shërbimeve evropiane dhe botërore, sepse që të gjithë, deri në vitin 1998 ishin për ruajtjen e mini perandorisë jugosllave.

Pra, lufta për liri dhe çlirim kombëtar e Heroit Agim Bajrami, ishte shkollë e madhe e traditës së atdheut që të mos jetonte në robëri dhe që gjeografinë kombëtare ta kishte të plotë, aq sa ia kishte caktuar kufijtë Shteti i parë modern shqiptar, me rastin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 1912. Copëtimi i kësaj gjeografie të atdheut të Agim Bajramit, nga qendrat e vendosjes të Evropës së kohës, që nga Kongresi i Berlinit më 1878 e deri të Konferenca e Parisit, më 1920, kishin mbjellë në ndërgjegjen e shqiptarëve, të të gjithë brezave, deri te brezi i Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës idealin e madh të luftës për liri dhe bashkim kombëtar. Mjafton vetëm të lexohen letrat e një numri të Dëshmorëve të Kombit, të lexohen shkrimet e tyre, andaj edhe letrat dhe shkrimet e Agim Bajramit dhe të kuptohet, se ata, përveç luftës për liri, ideal e kishin edhe bashkimin kombëtar.

Nuk ka asgjë më të natyrshme se kjo kërkesë, sepse hiqte nga jeta e shqiptarëve padrejtësitë historike që ju kishin bërë të tjerët. Ndryshe, si të kuptohet rënia e Dëshmorëve të Kombit për lirinë e pjesëve të pushtuara të atdheut, si fakt i përjetshëm, dhe kërkesa e qendrave evropiane se Kosova nuk ka të drejtë të bashkohet me askënd, si fakt i përkohshëm, sepse Lufta e UÇK-së, ka hapur procesin e madhe historik të bashkimit kombëtar, deshën apo nuk deshën qendrat e vendosjes evropiane, deshi, apo nuk deshi politika lojaliste e Tiranës, Prishtinës, dhe Shkupit.

Po me kë do të bashkohej Kosova e çliruar, përveç me shtetin amë, me Shqipërinë, sepse edhe në kohën e Arbërisë së Skënderbeut, edhe në kohën e Katër Vilajeteve, edhe në kohën e Kongresit të Berlinit, edhe në kohën e Konferencës së Ambasadorëve në Londër, më 1913, edhe më vonë, pra edhe sot e gjithë ditën, ishte dhe është pjesë e tërësisë së gjeografisë së Atdheut që quhet Shqipëri. Ndryshe, a do të kishin kuptim, qoftë edhe si frymëzim për rënien e luftëtarit të lirisë, heroit të Kombit, Agim Bajramit, fjalët e Isa Boletinit: Unë jam mirë, kur është mirë Shqipëria.

Nga atje, nga përjetësia e tyre, këtë porosi të madhe që nga pjesa e parë e shekullit nëntëmbëdhjetë, edhe sot në fillim të shekullit njëzetenjë, na përcjellin edhe Dëshmorët e Kombit, ata që e kanë bërë veprim historik mësimin e madh të popujve që luftojnë për liri se atdheu është mbi të gjitha.

 Përfundim

 Dëshmorin e Kombit, Agim Bajramin, nga përjetësia e tyre e kishin thirrur të parët e familjes së tij, të parët e familjes Duraj, të parët e familjes së Xheladin Kurtajt dhe Besnik Beguncës, Idriz Seferi me luftëtarët e luftës kundër pushtimit turk.

Por, vendimtare kishte qenë thirrja nga përjetësia që i kishte bërë Komandanti Legjendar, Adem Jashari, që e kishte mësuar se nuk ke të drejtë vetëm të thuash, atdheu mbi të gjitha, por edhe të vësh në themelet e lirisë së tij çdo gjë në jetë, edhe jetën tënde.

Dëshmori Agim Bajrami, kishte marrë rrugën e ardhjes, bashkë me shumë luftëtarë të tjerë, një pjesë e të cilëve po ashtu janë Dëshmorë të Kombit, për ta dëshmuar se kujtesa historike bëhet realitet jetësor vetëm kur atdheu është i lirë, kur hiqen nga jeta e kombit shqiptar padrejtësitë historike që ia kanë copëtuar gjeografinë kombëtare.

Përjetësia e heroit të Kombit, Agim Bajrami, do të ketë kuptim, do të bëhet pjesë e jetës dhe kujtesë kombëtare të brezave të ardhshëm, vetëm kur të përmbushen kërkesat e idealit të tij, që atdheu të jetë i lirë dhe i bashkuar, në mënyrë që të jetë komb modern, siç janë moderne të gjitha kombet e Evropës së qytetëruar.

Prishtinë, 27 nëntor 2018

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ndeshjen e radhës Interi e zhvillon ndaj Juventusit. Kapiteni Mauro…