Detaje: I dyshuari për vrasjen e Arlinda Zekajt kishte dosje të rëndë në Policinë e Kosovës
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se i dyshuari për vrasjen e Arlinda Zekajt paraprakisht kishte një dosje të rëndë në Policinë e Kosovës.
Sveçla ka ngritur shqetësime për vendimet që, sipas tij, çuan në ndarjen e Arlindës nga fëmija dhe privimin e saj nga prona, duke thënë se në vend që të mbrohej viktima, situata kishte marrë drejtim të kundërt.
“Ishte e privuar nga fëmija i saj. Si një institucion ka marrë vendim që ta ndajë fëmijën nga nëna e t’ia japë babait, i cili pastaj këtë përgjegjësi ia delegon vëllait të tij, i cili paraprakisht ka një dosje të rëndë në Policinë e Kosovës. Kurse ligji thotë që pothuajse automatikisht besimi për fëmijën i takon nënës”, ka deklaruar Sveçla në seancën e sotme.
Ai ka folur edhe për çështjen e pronës, duke thënë se, sipas informacioneve që ka, prona i përkiste çiftit.
“Ajo është privuar nga prona, sipas informacioneve, prona ka qenë e çiftit. E bashkëshortit dhe bashkëshortes. Si dikush ka vendosur që ajo të privohet nga prona është e çuditshme po ashtu, në vend se dhunuesi dhe kërcënuesi të arrestohet kurse e kërcënuara të jetë e sigurt në pronën e saj, me fëmijën e saj, ka ndodhur e kundërta”, ka thënë ministri.
Sveçla e ka cilësuar humbjen e jetës si privimin më të rëndë, ndërsa ka bërë të ditur se institucionet e sigurisë janë angazhuar për arrestimin sa më të shpejtë të të dyshuarit.
“Privimi më i rëndë është ai nga jeta. Ne jemi angazhuar maksimalisht që krimineli të arrestohet sa më shpejt”, ka deklaruar ai.
Ministri ka bërë të ditur se, me kërkesën e tij, rasti është ngritur në nivelet më të larta të Policisë së Kosovës. Po ashtu, ka kërkuar që çështja të trajtohet nga Prokuroria Speciale dhe jo nga ajo rajonale.
Avokatja e Arlinda Zekajt rrëfen detaje për dhunën dhe parregullsitë para vrasjes
Avokatja Adelina Hoxha, e cila e kishte mbrojtur Arlinda Zekajn para vrasjes së saj, ka rrëfyer detaje nga rastet dhe problemet me të cilat, sipas saj, ishte përballur e ndjera.
Në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Hoxha ka treguar se Arlinda i kishte thënë në korrik se ishte ndarë nga burri dhe se ai e kishte nxjerrë nga shtëpia, ia kishte djegur rrobat dhe më pas ia kishte dërguar videon ku shihej duke ua vënë flakën rrobave në oborr.
“Arlinda në korrik ka thënë: ‘Unë jam ndarë nga burri’. Burri e ka nxjerrë nga shtëpia, ia ka djegur teshat, ia ka dërguar videon se si po ia djeg teshat në oborr”, ka deklaruar Hoxha.
Sipas avokates, çuditërisht, ky detaj dhe videoja nuk ishin evidentuar nga hetuesit, të cilët më pas ia kishin kërkuar Arlindës videon, pasi ajo vetë kishte folur për këtë çështje.
“Kur ka shkuar ta kërkojë fëmijën, të cilin e kishte lënë për dy javë te axha dhe gjyshja e tij, nuk e ka gjetur në Deçan dhe nuk ia kanë dhënë. Ajo ka tentuar të arrijë marrëveshje me burrin e saj, i cili ka qenë në Amerikë, për ta kthyer fëmijën, por nuk ia kanë kthyer. Ka shkuar në polici dhe fëmijën e ka gjetur në Vitomiricë. Procedurat janë zhvilluar në mënyrë të parregullt dhe jo ligjore. Fëmija është marrë në pyetje pa psikolog dhe pa një person të licencuar nga QPS-ja. Prokurores i jam drejtuar menjëherë, sepse fëmija ishte kthyer te axha i vet. Nuk merret mendimi i fëmijës kur merret në pyetje vetëm njëri prind. Të nesërmen i kam shkuar prokurores në zyrë”, ka deklaruar avokatja.



