
Dhembja, nga krimet serbe, që nuk pushon
Dr. sc. Lulzim Nika
Dhembja që nuk pushon-kujtimi për masakrën e Deliajve të Abrisë, e cila tronditi
Shtëpinë e Bardhë në Uashington.
Shtatori është dhembja dhe krenaria jonë.
Sot, bashkë me dy dëshmitarët, Kryefamiljarin Ymer Deliu dhe Afrim Hysenaj në nderim të masakruarve në Abri.
Rrëfimet e kohës ishin të jashtëzakonshme dhe shumë prekëse.
Takova edhe dy familjarët që i kishin mbijetuar masakrës, Besnikun dhe Albertin, njëri 5 e tjetri vetëm dy vjeçar atëherë.
Sot bëhen 23 vite nga masakra e Abrisë pa u dënuar asnjë kriminel serb.
Masakra e forcave serbe ndaj familjes Deliu të Abrisë, sidomos pamja e fëmijëve e kishte shokuar administratën e presidentit Klinton.
Falë vëzhguesve ndërkombëtarë amerikanë dhe anglezë që vizituan dhe fotografuan në vendngjarje të gjithë pjesëtarët e familjes Deliu të masakruar nga forcat serbe, e dërguan në Uashington.
Historia e popullit shqiptar gjatë shekujve, ishte një përpjekje për mbijetesë në trojet tona etnike, dhe që u bë shënjestër e përhershme e politikës hegjemoniste serbe.
Programi i parë kombëtar serb, në të cilin përpunohej ideja e Serbisë së Madhe, është e ashtuquajtura “Naçertanija” e Ilija Garshaninit, prej vitit 1843 e deri në vitin 1852, i cili ishte Ministër i Punëve të Brendshme dhe Kryetar i Qeverisë Serbe.
Këto ambicie kishin filluar të sëndërtoheshin me masakra dhe dëbime të shqiptarëve prej trojeve shekullore nga Nishi, Vranja, Toplica, Prokupla e Leskovci, në vitet 1876 -1878.
Fatkeqësisht, kjo u përsërit edhe gjatë vitit 1998-99, ku shteti serb kundër shqiptarëve të Kosovës përdori metodat më mizore, më barbare dhe mesjetare për zhdukjen e tyre nga Kosova.
Masakrat çnjerëzore që po ndodhnin në Kosovë morën përmasa tragjike në tërë botën e civilizuar, saqë tmerruan opinioni publik vendës dhe të huaj, si dhe vunë në lëvizje qendrat e vendosjes ndërkombëtare.
Krimet dhe masakrat serbe që u bënë në Abri, Reçak, Poklek,Verboc, Izbicë, dhe gjithëandej në Kosovë, tronditën dhe tmerruan qarqet diplomatike ndërkombëtare.
Tragjeditë dhe mizoritë e luftës së Kosovës, nga faktori ndërkombëtar nuk u injoruan. Ata vepruan duke i dënuar me deklarata dhe veprime ushtarake kundër makinerisë ushtarake vrastare serbe.
Mirëpo, edhe sot e kësaj dite mungon një Gjykatë Ndërkombëtare për të gjykuar platformën politike të shtetit serb, që synonte shfarosjen e një populli të tërë.
Masakra e Abrisë dhe Reçakut e “vrau” ndërgjegjen e diplomacive të fjetura botërore, dhe masat ushtarake kundër makinerisë serbe nga aleanca e NATO-s, e sollën paqën në Kosovën e djegur dhe të shkatërruar.
Me mijëra të vrarë e të masakruar në shtëpi të tyre, shumë femijë, gra, dhe pleq, pra në gjithë Kosovën.
E sot, pas 23 viteve të përfundimit të Luftës së Kosovës, t’i kërkojnë shqiptarët për t’u denuar, është vërtetë një padrejtësi historike e këtij shekulli.
25-09-2021