
Dhëndëri i Erdoganit jep arsyet e dorëheqjes nga posti i ministrit të Financave
Ministri turk i Financave, i cili është dhëndër i presidentit Erdogan, tha se jep dorëheqje nga pozicioni i tij si pasojë e disa arsyeve shëndetësore. Berat Albayrak e njoftoi vendimin e tij përmes një postimi në “Instagram” të dielën, duke shtuar se po tërhiqej nga posti për të shpenzuar më shumë kohë me familjen.
Albayrak u caktua të ishte ministër i Financave në Turqi në korrik të vitit 2018, ku më parë kishte shërbyer si ministër i Energjetikes për tre vjet.
Dorëheqja e tij vjen pas shkarkimit të shefit të Bankës Qendrore, Murat Uysal, pas një rënie për 30 % të lirës turke. “Vendosa të mos e vazhdoj më punën time si ministër pas pesë vjetësh në post për shkak të disa problemeve shëndetësore”, shkruan Albayrak në “Instagram”. “Dua të shpenzoj kohë me mamanë time, babanë, gruan dhe fëmijët, me të cilët nuk kam kaluar kohë për shumë vjet për shkak të punës dhe të cilët nuk kanë kursyer asnjëherë mbështetjen për mua”, thotë Albayrak.
Vendimi i tij për t’u dorëhequr nga posti nuk është konfirmuar apo pranuar akoma nga presidenti turk Erdogan. Zv/ministri i Transportit në Turqi, Omer Fatih Sayan, thotë se shpreson se dorëheqja e Albayrak do të refuzohet dhe shkruan se “vendi ynë, populli dhe i gjithë komuniteti ynë kanë nevojë për ty”.
Albayrak, i cili ka katër fëmijë me vajzën e Erdoganit, Esra, ka kryesuar Ministrinë e Financave gjatë një periudhe shumë të vështirë të ekonomisë turke. Të premten lira arriti një rekord tjetër të ulët shkëmbimi, duke humbur rreth 45 % ndaj dollarit amerikan.