Dhimbja, kur ia kthyen Kosovës shpinën

26 qershor 2022 | 12:00

(Fragment nga një shkrim i gjatë)

Lluka e Epërm, që dikur i takonte nahisë se Gjakovës, i kishte njëzetë e dy kulla trekatëshe prej guri, që sot fatkeqësisht nuk i ka. Brenda atyre kullave gjithmonë janë mbajtur kuvende të mëdha, janë dëgjuar kënga, sharkia dhe çiftelia e Dervish Shaqës dhe Demush Nezirit deri në kupë të qiellit. Nëpër frëngjitë e atyre kullave është dëgjuar edhe krisma e pushkës sa herë e ka kërkuar atdheu, edhe kur binte shi, edhe kur binte borë…

Mes atyre të mëdhenj që kishte Lluka, ishin edhe Demush Neziri-Molliqaj, Dervish Shaqa-Muqaj, Adem Rama-Molliqaj  e tjerë, që në dimrin e madh të vitit 56-të, për t´i shpëtuar nga UDB-a, serbe, nëpër një shokë borë kapërcejnë kufirin.

Po kush ishte Demush Neziri?

Demush Neziri-Molliqaj lindi në fshatin Llukë e Epërme të Deçanit më 1912. I ati i Demushit, Nezir Binaku ishte pushkatuar nga xhandarmëria serbe në krye më Miliç Kërsten të kryqi i Prilepit (Deçan) me 1922 bashkë me disa të tjerë. Kështu, në këtë frymë sado i mbetur jetim, në një moshë 6-vjeçare, Demush Neziri rritet dhe edukohet për ta dashur atdheun mbi të gjitha, dhe për t´u hakmarrë për vrasjen e babait.

Vitet 1944-1945, Demushin e gjejnë si, “kostur” siq thoshin n´atë kohë, kur ishte Shqipëria e Madhe, apo “Shqipëria e Xhafër Devës”. Në ketë detyrë Demushi së bashku me disa shokë deri diku “hakmerren” për shumë krime që i kishin bërë serbët ardhacak të vendosur në tokat shqiptare në Deçan dhe Pejë. Kur hyri partia, apo pushteti sllavo-komunist, ndaj Demushit dhe shumë të tjerëve filluan të organizoheshin procese gjyqësore, mblidheshin shënime dhe dëshmitarë për “krimet” e tyre ndaj popullatës sllave.

Demushi akuzohej se tek ” Ura e Gurit” në Pejë, me shumë nacionalist shqiptarë kishte zhdukur shumë sllavë që ishin antishqiptarë më metoda siç thuhej në akuza, duke i mbytur me vaj. Në këto rrethana jeta në Llukë ishte vështirësuar, andaj në vitin famëkeq të akcionit të armëve, me 1956, Demush Neziri-Molliqaj, Adem Rama-Molliqaj, Dervish Shaqa-Muqaj nga Lluka e Epërme e Deçanit dhe, Isa Hoxha nga Botusha e Gjakovës, kalojnë kufirin shqiptaro-shqiptar ( Kosovë- Shqipëri) me 5 Mars 1956, dhe në ora 5 të mëngjesit ata u gjenden në tokën e premtuar shqiptare.

Në Kosovë, në mëshirën e Zotit, u mbesin gratë dhe fëmijët.

Demush Neziri ishte edhe rapsod folklorik. Këngën e filloi  në Kullat prej guri të Dukagjinit, e sidomos në kullat e Llukës, ku përveç zërit të pushkës dëgjohej edhe zëri i këngës dhe i çiftelisë. Aty, mblidheshin burrat me më zë të trojeve shqiptare për t i dalë zot Atdheut, aty në Llukën e shumë kuvendeve shqiptare. Këtyre luftëtarëve të atdheut, trimave të pushkës por edhe vajzave të bukura shqiptare, këngëtari, rapsodi i ynë folklorik, u thuri këngë të bukura.

Për Verrat e Llukës u kënduan shumë këngë që i këndoi  këngëtari i mirenjhur, mësuesi i shumë këngëtarëve dukagjinas, Demë Ali Taraku nga Krysheci i Baranit i cili ishte edhe mësuesi i Demush Nezirit dhe Dervish Shaqës. Më vonë, kur Dervish Shaqa dhe Demush Neziri filluan ta kultivojnë këngën e bukur shqiptare, ata mbeten në kujtesë të popullit më këngët; “’Verra të Llukës e n´qafë të Morinës/ Ja dhanë besën Mon Avdisë”, ” Isa Beg po të thrret nona…”, ” Haj medet për Lug të Baranit/ N´kamb asht çue Savë Llazari…”, e shumë këngë tjera. Ishin këto këngë që i kënduan sa ishin në Kosovë.

Pas daljes në Shqipëri rapsodi Demush Neziri i vendosur në Roshbull afër Durrësit, ku edhe aty do ta vazhdoje këngën me bacë Dervishin. Dalëngadalë, këngë pas kënge në Shqipëri e kuptojnë se këta dy këngtarë nga Lluka e Daçanit, Zoti u ka falur dhunti për këngën. I ftojnë nëpër shumë festivale folklorike që organizoheshin në Shqipëri ku përveç shumë shpërblimeve zyrtare, duartrokitjet e publikut ishin shpërblimet më të dashura të tyre. N´atë kohë i bën të njohur edhe në Kosovë këngët e tyre të dëgjuara përmes radiovalëve; ” Ah, Kosovë mos thuaj mbarova, se djemt tu hala janë gjallë!…” , pastaj një këngë e vjetër, gati-gati moshatare me mua: ” U kthye zemra u bo sharki/ për me knue për ty Shypni”, ” …Bajram Curri në borë, bukë po rrin pa ngron/ collte për Kosovë…”

Kënga ” Kur ta kthyem Kosovë shpinen, / e lamë borë e gjetem dimër…” as sot nuk është analizuar sa duhet, pse e lanë borë e gjeti dimër?!

Një gjë dihet, në vitet e para, sa arritën në Shqipëri, Dervish Shaqa dhe Demush Neziri, këngët me të preferuara që i këndonin ishin këngët e dashurisë. Kanë mbetur në kujtesë këngët; “N´drrasë të vekut kush po kanë”, ” Moje mira n´derë të stanit”, etjera.

Shumë më vonë, pas viteve 1960, Demushi më Dervishin u kthehen këngëve patriotike, atdhetare, këngë këto që i kishte kënduar më herët nëpër odat e Llukës, të Vranocit, të Junikut etj. Tani, Demushi dhe Dervishi fillojnë t’i këndojnë, përveç dashurisë, edhe partisë, kooperativës. I këndojnë Bajram Currit, Hajdar Dushit, Gjeladin Hanës…Në ketë kohë ata e këndojnë edhe një këngë të veçantë humoristike për fshatin e lindjes, për Llukën. Ishte një humor apo këngë satirike e veçantë ku përqesheshin shumë vese të disa fshatrave të Dukagjinit; “U rrehen Lluka shtatë a tetë/ u rrah Lluka u rrah Isniqi..”

Mirëpo, këngët; ” Nak Berisha”, “N´Verra t’LLukës e n´qafë t´Morinës”, “Haxhë Mustafa”, “Prej Podrimjes po na vjen haberi”, Kur ta ktheva Kosovë shpinën”, ” Oj Kosovë mos thuej mbarova”, ” Pyet Kosova për një qikë”, e të tjera, Demush Nezir-Molliqaj sëbashku me shokun e jetës, Dervish Shaqën, do të mbesin në historinë e folklorit shqiptarë. Do të mbesin pjesë e pandarë e kulturës sonë kombëtare për kultivimin e këngës folklorike si një ushqim i shpirtit të luftëtarit dhe qytetarit shqiptar.

Demushi dhe Dervishi shquhen edhe për talentin tjetër, për dhuntinë për njerëzit e artit: vallëzimi. Në incizimet e RTSH tek i shikon duke hedhur vallen me shpata, të duket sikur nga kohet e lashta kanë zbritur këta dy kreshnike, malësorë të epikes sonë kombëtare. (Marrë nga Arif Molliqi)

Foto: Demushi, Nëna Dyk më fëmijët pasi Demushi kishte dal në Shqipëri)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lidhja Demokratike e Kosovës synon përmes miratimit të rezolutës në…