Dhurata Hoxha në Kamenicë: Niveli komunal ka një rol të rëndësishëm në proceset integruese

07 maj 2019 | 14:24

Në kuadër të Ditës së Evropës, Ministria e Integrimit Evropian ka organizuar diskutim me të rinjtë e Komunës së Kamenicës, ku e pranishme ka qenë edhe ministrja Dhurata Hoxha, kryetari i Kamenicës Qëndron Kastrati, ambasadorja e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck Ahliny, Diellza Mujaj bursiste e Young Cell Scheme dhe studentë e nxënës nga kjo komunë.

Temë e diskutimit ka qenë “Promovimi i vlerave të BE-së, rëndësia e gjithëpërfshirjes në procesin integrues”.

Komuna e Kamenicës me barazinë në kuadër të strukturave udhëheqëse ka vendosur një standard të mirë për barazinë gjinore, prandaj është zgjedhur për të diskutuar promovimin e vlerave të BE-së në qendër të së cilave është gjithëpërfshirja.

“Integrimi në BE, paraqet mundësi, sfidë dhe avancim në arritjen e objektivave kyçe të BE-së  dhe në përqafimin e vlerave të cilat ajo i përfaqëson”, ka deklaruar ministrja Hoxha, duke shtuar se niveli komunal ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në proceset integruese.

Sipas saj, anëtarësimi në BE sjell përfitime të mëdha për Kosovën në fusha si avancimi i të drejtave dhe lirive të barabarta, zhvillimi ekonomik, si dhe në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.

“Ne po realizojmë reformat në fusha si sundimi I ligjit dhe zhvillim ekonomik”, ka theksuar Hoxha, duke shtuar se sfidë është papunësia e të rinjve dhe grave, përkundër rritjes më të madhe ekonomike në rajon.

Ajo ka thënë se po bëhet përpjekje për cilësinë e arsimit, promovimin e zhvillimit ekonomik me inovacion dhe ndërmarrësi si dhe në avancimin e kuadrit, ku qindra studentë nga Kosova nëpërmjet Young Cell Scheme studiojnë në universitetet evropiane.

Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka shprehur angazhimin dhe përkushtimin e tij në komunë për zbatimin e ligjit, vlerat e barazisë dhe përfshirjen e komuniteteve.

Ai ka thënë se vlerat dhe parimet që vlejnë në BE, duhet t’i zbatojmë për hir të qytetarëve, për veten tonë, sepse janë arritje e pranuar dhe kjo do të jetë më e mira për Republikën e Kosovës.

Kurse ambasadorja e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck Ahliny, ka folur për rëndësinë e barazisë gjinore dhe gjithëpërfshirjen, duke vënë në dukje përvojat nga Suedia si model i demokracisë dhe për zbatimin e barazisë.

Ndërsa, bursistja Diellza Muja, ka vlerësuar lartë arsimimin në universitetet më të mira të Evropës, skemën Young Cell si rast i mirë për të rinjtë që të jenë të dobishëm dhe të aftë për të çuar përpara agjendat tona evropiane.

 /Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guradiola është shumë i lumtur…