Diaspora në Zvicër mbledh mbi 30 000 franga për të dëmtuarit nga tërmeti

02 dhjetor 11:52

Iniciativa e tri klubeve shqiptare për t’i mobilizuar të gjithë shqiptarët e Zvicrës lindore në përkrahje të viktimave të tërmetit në Shqipëri ka marrë mbështetje të gjerë brenda komuniteti shqiptar dhe nacionaliteteve të tjera.

Mobilizim i gjerë e shoqatave shqiptare të Zvicrës lindore në përkrahje të viktimave të tërmetit në Shqipëri. Me iniciativë të disa veprimtarëve dhe shoqatave të tjera në St. Gallen, FC Besa, KF Dardania dhe Plisat, kanë prezantuar aksionin e tyre humanitar. Sipas përfaqësuesve të klubeve që kanë ndërmarrë këtë iniciativë të përbashkët, deri më tani janë mbledhur mbi 30 mijë franga zvicerane. Ata deklarojnë se aksioni do të vazhdojë deri në fund të javës tjetër, ku do të bëhet bilanci i ri i të hyrave. Pastaj do të vendoset bashkërisht me shoqatat e tjera për hapat e mëtutjeshëm.

Iniciativës së presidentit të FC Besës, për unifikim të diasporës shqiptare dhe shoqatave shqiptare të Zvicrës lindore, duke afruar fillimisht KF Dardaninë dhe Plisat, tani iu kanë bashkuar edhe shoqata “Mëmëdheu” St. Gallen, LAPSH “Naim Frashëri” St. Gallen, klubi i karates “Dardania” Herisau AR dhe xhamia “Paradise” St. Gallen.

Përfaqësuesit e tri klubeve garantuan para të pranishmëve se të gjitha hollat që dërgohen atje, do të shkojnë në shumën e plotë të derdhur në fondin humanitar pa prekur asnjë cent nga fondi i mbledhur.

“Ne nuk do të prekim asnjë cent nga donacionet, të gjitha do t’i dërgojmë në formën si kanë hyrë në xhirollogarinë tonë të përbashkët humanitare që ekziston në klubin Plisat”, u deklaruan Krasniqi, Dautaj dhe Jonuzi.

Poeti Isuf Sherifi tha se e mbështet plotësisht aktivitetin e tri klubeve të sipërpërmendura dhe e vlerëson si një punë shumë të mirë që po bëhet.

“Ajo që na inkujaron është vendimi i Qeverisë për t’u siguruar strehë deri më 15 dhjetor atyre që kanë mbetur pa strehë dhe atyre që kanë humbur më të dashurit t’u sigurohet një pension”. Përshëndesim çdo ndihmë që është dhënë në përkrahje të të prekurve nga tërmeti në Shqipëri dhe ftojmë të gjithë të tjerët t’i bashkangjiten këtij aksioni.

Të gjitha shoqatat janë dakorduar që më 08 dhjetor 2019 secila shoqatë të dërgojë dy përfaqësues në takimin e radhës që do të mbahet në restorantin “Adler” në  St. Georgenstrasse 84, 9011 St. Gallen, prej orës 10.30.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti brazilian, Jair Bolsonaro, ia vuri fajin Leonardo DiCaprio-s, aktor…