
Diletantizmi politik dhe vetëpenalizimi kushtetues i presidentes Vjosa Osmani
Shkruan: Hisen Berisha
Deklaratat e fundit të Presidentes së Republikës së Kosovës lidhur me tërheqjen e parashtresën e kërkesës së saj nga Gjykata Kushtetuese jo vetëm që shpalosin një diletantizëm të theksuar politik e juridik, por e vënë atë në një pozitë vetëpenalizuese për cenim të rendit kushtetues dhe mosveprim institucional në kohë kritike për shtetin.
Kërkesa drejtuar Gjykatës Kushtetuese, sipas vetë Presidentes, kishte për qëllim të sqaronte pasojat juridike të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga Kushtetuta. Ky ishte një hap institucional i vonuar, por megjithatë formal, i cili duhej të përmbyllej me një përgjigje përfundimtare mbi gjendjen e (jo)kushtetutshmërisë së funksionimit të Kuvendit dhe pasojat për ligjvënësit. Këto pasoja juridike mund të shkojnë nga marrja e mandateve deti te ndalimi i të drejtës për kandidim për pozita përfaqësuese politike dhe institucionale.
Por akti i tërheqjes së kërkesës – me arsyetimin se gjyqtari raportues, Radomir Llaban, paraqet “rrezik për sigurinë kombëtare” – e kthen këtë çështje nga një debat mbi kompetencat në një alarm serioz institucional. Presidentja deklaroi se Llaban ka qenë i përfshirë në veprimtari të rrezikshme për vitet 2018, 2021 dhe 2024, për të cilat “institucionet e sigurisë kanë dorëzuar informacione zyrtare”, madje edhe vetë Gjykatës Kushtetuese.
Pikërisht këtu qëndron vetëpenalizimi politik dhe institucional i Presidentes Osmani:
– Nëse një gjyqtar i Kushtetueses paraqet rrezik për rendin kushtetues, atëherë pyetja themelore është: përse presidentja, si udhëheqëse e institucionit që ka kompetencë ekskluzive për emërimin dhe shkarkimin e anëtarëve të Kushtetueses, nuk ka vepruar për shkarkimin e tij në këto vite?
– Nëse këto informacione të sigurisë kanë qenë zyrtarisht të dokumentuara që nga viti 2018, atëherë kemi të bëjmë me një neglizhencë ose bashkëpjesëmarrje në ruajtjen e një individi që përbën kërcënim për sigurinë kombëtare brenda institucionit më të lartë të mbrojtjes së kushtetutshmërisë në vend.
– Tërheqja e kërkesës, e motivuar nga ky pretendim, nuk mund të konsiderohet akt mbrojtjeje të rendit kushtetues, por përkundrazi, përforcon krizën institucionale duke shmangur një përgjigje të detyruar për gjendjen faktike të antikushtetutshmërisë që po e konsumojnë deputetët me skadimin e afatit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit.
Në vend që të përmbushte obligimin kushtetues për të konstatuar krizën institucionale dhe për të dekretuar shpërndarjen e Kuvendit, siç e parasheh aktgjykimi i Gjykatës Kushtetues afatin 30-ditore për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, Presidentja ka zgjedhur të krijojë një precedent të rrezikshëm: shmangien e përgjegjësisë me arsyetime të sigurisë nacionale – ndërkohë që nuk ka ofruar asnjëherë asnjë masë konkrete për adresimin e kërcënimit të përmendur.
Në këtë kontekst, mosveprimi i Presidentes – përkundër njohurisë për rrezikun – është më i rëndë se thjesht diletantizëm.
Ai përbën precedent të një krize besueshmërie në institucionin e Presidentit dhe krijon rrëshqitje të rrezikshme në legjitimitetin e gjithë sistemit të drejtësisë kushtetuese.
Ndërkohë, shkelja e afatit 30-ditor nga deputetët nuk është më çështje politike – por shndërrohet në shkelje kushtetuese me pasoja juridike. Kushtetuta nuk parashikon asnjë zgjidhje alternative për këtë situatë përveç shpërndarjes së Kuvendit dhe shpalljes së zgjedhjeve të reja brenda 45 ditëve. Çdo tentim për të zvarritur procesin përmes interpretimeve selektive – si ai që bëri Presidentja për “mundësinë për votim të fshehtë” – përbën shkelje të qartë të rendit kushtetues.
Deklaratat e Presidentes nuk janë thjesht justifikime për një vendim politik – janë një akt vetëdiskreditimi institucional. Ato dëshmojnë ose paaftësi për të kuptuar peshën e pozitës që mban, ose një bashkëpërgjegjësi në degradimin e mëtejshëm të sistemit shtetëror për interesa të ngushta politike.
Në vend që të trajtojë situatën me vendosmëri kushtetuese, Presidentja zgjodhi të manipulojë me frikën dhe sigurinë, duke e ekspozuar shtetin përballë një precedenti shumë më të rrezikshëm: institucionalizimin e mosveprimit përballë shkeljes kushtetuese.
Në këtë pikë, ajo nuk është më palë që garanton rendin kushtetues – por një faktor i drejtpërdrejtë në mbajtjen peng të funksionimit kushtetues të shtetit.