Stop padrejtësisë, koha për zgjim kombëtar!

05 gusht 2025 | 20:19

Shkruan: Astrit Gashi 

7 gusht, ora 17:00

Historia e kombeve nuk matet me dosje politike, por me plagët e atyre që ecën përtej frikës për ta lindur lirinë. Sot, kur në Hagë po gjykohen padrejtësisht liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës arkitektët e shpresës dhe dinjitetit tonë nuk po flet drejtësia. Po flasin xhelatët e vjetër, tashmë të veshur me togën e ligjit, të ndihmuar nga heshtja turpëruese e botës që dikur premtoi liri dhe barazi. E mbi të gjitha, me taksat e tyre po financohet një gjykatë fashiste.

Ky nuk është një proces gjyqësor por është një atentat ndaj kujtesës sonë. Është një gjyq ndaj vetë çlirimit tonë. Është dënimi i idealit, i dhembjes dhe i sakrificës më të pastër që ky komb ka njohur gjatë historisë.

Aty ku dikur digjeshin fëmijët tanë në Prekaz, Abri, Poklek, Meje e gjithandej Kosovës Evropa heshti. Nuk krijoi gjykatë. Aty ku dhunoheshin gratë tona në sytë e botës, diplomacia ndërkombëtare mbylli sytë. Por sot, të njëjtët që heshtën ndaj gjenocidit, gjykojnë ata që mbrojtën jetën dhe dinjitetin e një populli që nuk e duroi robrinë.

Një diplomat rus përfaqësues i një shteti që e ka shndërruar krimin në politikë shtetërore u lejua të votojë në Këshillin e Evropës për të gjykuar shqiptarët që ngritën pushkën kundër shfarosjes. Një ironi e përgjakshme kur Rusia voton për drejtësinë dhe po atë vit përjashtohet nga Këshilli i Evropës, ndërsa Kosova përndiqet për mbrojtjen e jetës së qytetarëve të saj.

Milovan Drecun pionieri i urrejtjes, zëdhënësi i kasapit të Ballkanit dhe arkitekt i propagandës anti-shqiptare është sot burimi i akuzave që drejtësia ndërkombëtare i quan të ligjshme. Dhe Perëndimi hesht! Si mund të pranojmë një drejtësi që ndërtohet mbi dëshmitarë të paguar dhe akuza të fabrikuara?

Jack Smith sot vetë i hetuar për manipulim të provave është simboli i një drejtësie të shitur. Një drejtësi që nuk kërkon të gjejë të vërtetën, por të njollosë luftën më të pastër të këtij shekulli.

Kjo është pika e fundit. Nuk ka më vend për heshtje.

Kosova nuk është një projekt i përkohshëm. Ajo është plagë, është betim, është amanet. Dhe askush nuk ka të drejtë ta gjykojë këtë betim të shenjtë. Sot, nuk jemi duke mbrojtur vetëm individë, por idealin kolektiv të një kombi që zgjodhi të jetojë i lirë.

Prandaj mos hesht!

Protesto nëse ke zemër shqiptari, nëse ndjen përgjegjësi për të ardhmen e fëmijëve të tu dil!

Të enjten, ora 17:00, para përmendores së Skënderbeut në Prishtinë, të bëhemi 100 mijë zëra në një protestë të madhe kundër padrejtësisë!

Jo për parti, por për të vërtetën.
Jo për pushtet, por për lirinë.
Jo për liderë, por për lavdinë e përbashkët të UÇK-së, që është ndërgjegjja jonë kombëtare!

Në emër të Skënderbeut dhe Adem Jasharit, në emër të të rënëve, në emër të atyre që nuk u përkulën bota të dëgjojë zërin tonë!
STOP PADREJTËSISË!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Hisen Berisha  Deklaratat e fundit të Presidentes së Republikës…