Diplomacia, e sëmura e Ballkanit

23 shtator 16:45

Prof. Lisen BASHKURTI

-(Fragment nga libri i autorit “Ballkani-Diplomacia e munguar”)

Roli i diplomacisë gjatë Luftës së Parë Botërore ishte mjaft kontravers. Diplomacia jo ushtarake dhe propaganda e luftës vepruan interaktivisht së bashku ndërmjet kombeve me qëllim që të mbështesnin kauzat e luftës, ose të minonin mbështetjen e armiqve të tyre. (Norman Rich, Great Power Diplomacy: Since 1914 (2002) pp. 12–20; Strachan, The First World War: Volume I To Arms (2001) pp. 974-75).

Në pjesën më të madhe të saj diplomacia e Luftës së Parë Botërore u përqendrua në pesë çështje themelore: së pari, në fushatat propoandistike; së dyti, në përcaktimin e dhe ripërcaktimin e qëllimeve të luftës, të cilat bëheshin përherë e më të ashpra me vazhdimin e luftës; së treti, në përpjekje të ndryshme për kombet neutrale (Itali, Perandori Osmane, Bullgari dhe Rumani) që t’i fuste në koalicione politiko-ushtarake, duke u ofruar pjesë nga territoret e shteteve armike; së katërti, në inkurajimin e lëvizjeve të minoriteteve kombëtare brenda Fuqive Qendrore, sidomos midis Çekëve, Polakëve dhe Arabëve; së fundi, në bërjen e shumë propozimeve për paqe nga vendet neutrale, ose nga njëra apo tjera palë në luftë. Por, faktikisht asnjëri prej tyre nuk pati sukses të shpejtë e të dukshëm. Ato mbetën propozime në bisedime ose drafte në letër (29 J.A.S. Grenville, ed., The Major International Treaties of the Twentieth Century: A History and Guide with Texts, Vol. 1 (Taylor & Francis, 2001) p. 61.).

Kjo traditë dështimi vijoi deri në fund të Luftës së Dytë Botërore. Mbas kësaj lufte, diplomacia Evropiane bëri një kthesë të plotë. Diplomacia Evropiane e mbas dy luftërave kuptoi thelbin e misionit të saj, jo si makineri lufte dhe as si propagandë lufte, por si instrument i paqes, i demokracisë dhe prosperitetit në marrëdhëniet ndërkombëtare. Gjithë projekti European kishte si bazë teorinë e paqes demokratike, në të cilën diplomacia luan rolin kryesorë (Gleditsch, Nils P. (1992). “Democracy and Peace”. Journal of Peace Research. 29 (4): 369-376).

Një transformim i tillë i diplomacisë nuk ndodhi në Ballkanin e pas dy luftërave, madje nuk ndodhi as mbas rënies së Murit të Berlinit (1989). Mësime të mëdha historike nga Lufta e Parë dhe e Dytë, por edhe mbas rënies së Murit të Berlinit dalin për Ballkanin.
Ky nën rajon i vogël u bë shkak për nxitjen e fillimit të Luftës së Madhe. Një atentat në Sarajevë solli vdekjen e dy personave, që u pasua me tragjedinë e miliona njerëzve nëpër botë. Një plumb që vrau miliona! Gjithashtu, ky nën-rajon u bë shehbetejash ideologjike midis komunizmit, fashizmit dhe demokracisë liberale midis dy luftërave. Ndërsa në Luftën e Dytë Botërore u bë arenë e një përgjakje sa ndërkombëtare aq edhe civile.

Ajo që nuk ndodhi në diplomacinë Ballkanike pas luftërave botërore, pritej të ndodhte mbas rënies së Murit të Berlinit dhe përfundimit të Luftës së Ftohtë, së paku në nivel Evropian. Por, sërish në Ballkan, diplomacia vijoi të mbetej prapa. Politikat nacionaliste, rivalitetet shtetërore, dhunimi pakicave etnike, shkelja e të drejtave të njeriut, injorimi i të drejtës ndërkombëtare, lidershipet egoistike, administratat e dobëta, orientimet gjeopolitike kontraverse, armiqësitë fqinjësore, mungesa e bashkëpunimit rajonal, diplomacia e munguar – e shndërruan Ballkanin në ‘Fuqi Baroti’. (Tom Gallagher, The Balkans after the Cold War-From Tyranni to Tragedy, New York, Routledge, 2003)

Nëse Evropa nxori mësime nga dy luftërat botërore dhe ndërmori ndryshime madhore për t’i dhënë fund luftërave dhe nxitjen e paqes së qëndrueshme, demokracisë dhe prosperitetit ekonomik, Ballkani vuan akoma nga sindromat negative të trashëguara nga historia. Në Ballkan e kaluara akoma nuk është futur në arkiv si pjesë e historisë, por është gjallë dhe ndikon mbi politikat dhe diplomacinë.

Ballkani sërish vuan nga recidivate e doktrinave nacionaliste, nga rivalitetet shtetërore, nga mos njohja ose mos respektimi i të drejtave të njeriut dhe pakicave etnike. Ballkani, ndonëse ka firmosur një sërë marrëveshjesh ndërkombëtar për t’i dhënë fund luftërave dhe për të ndërtuar paqen, sërish i shkel marrëveshjet ndërkombëtare që vetë i firmos.

Në krye të të gjithave Ballkani vuan për lidership dhe qeverisje të mirë. Lidershipi Ballkanik preferon më shumë të ndjekë sjelljen e trashëguar nga modelet e vjetra sesa modelin bashkëkohor të lidershipit European. Por, edhe kur lidershipi Ballkanik hedh ndonjë hap përpara, është administrate publike që nuk i përgjigjet ndryshimeve, duke i bërë rezistencë dinamikave të reja Ballkanike.

Ballkani është akoma ‘pa dyer’ në orientimet e veta gjeopolitike. Ndonëse gjithë vendet e Ballkanit deklarohen për orientim European dhe më së shumti edhe për orientim Euro-Atlantik, kur vjen puna në mendimet, qëndrimet, veprimet e sjelljet konkrete ato vijojnë të jenë konfuz, duke krijuar hapësira për depërtime të prezencës dhe influencës jashtë gjeopolitikës Euro-Atlantike. Kjo e ven Ballkanin në situate mjaft dilematike dhe paqartësie për të ardhmen.

Ballkani është periferia e Kontinentit Evropian ku vazhdojnë të ekzistojnë një mal problemesh midis fqinjëve. Disa probleme janë të trashëguara nga historia, disa të lindura mbas Luftës së Ftohtë dhe së fundi disa të krijuara gjatë tranzicionit. Vendet e Ballkanit në shumë raste nuk i shohin realitetet në sy, nuk i pranojnë ndryshimet në mjedisin politik dhe sillen jashtë realiteteve, duke krijuar tensione, probleme dhe kriza të herë pas hershme fqinjësore.

Gjithë shtetet e Ballkanit kanë nevojë emergjente të respektojnë dhe të ndjekin rigorozisht linjat e politikës Evropiane të fqinjësisë së mirë dhe të heqin dorë nga modele të tjera, që mbajnë kriza të ngrira me fqinjët dhe që përdorin pakicat etnike për interesa egoiste gjeopolitike.

Ballkani vijon të jetë ndërkombëtarisht i perceptuar si inerci i ‘Fuqisë së barotit’. Rajoni, ndonëse i vogël vijon të jetë i fragmentuar. Nuk ka vizione të qarta dhe të qëndrueshme, politika të përbashkëta, projekte zhvillimore në kontekst mbarë Ballkanik. Mungon dukshëm kohezioni ekonomik, social dhe territorial në nivel Ballkani. Qeveritë e vendeve Ballkanike i bashkon vetëm retorika Evropiane, por kur vjen puna të politikë-bërjet dhe veprimet konkrete, egoizmat mëndje-lokale të mbyllura dominojnë mbi mendjet e hapura integruese dhe globalizuese.

Dhe, e fundit, por jo nga rëndësia, Ballkani është nën Rajoni i diplomacisë së munguar. Në trashëgiminë, por mjerisht edhe në të sotmen e Ballkanit diplomacia është pika më e dobët. Kultura e bisedimeve, e mbajtjes gjallë të dialogut të hapur, e krijimit të klimës së përhershme të negociatave dhe e zgjidhjes së çdo problemi me rrugë dhe mjete diplomatike, pra me frymë konsesusi ose kompromisi – janë ende larg realiteteve Ballkanike.

Në Ballkan diplomacia është e nënvlerësuar, diplomatët janë të nëpërkëmbur, konsensusi është i mohuar, kompromisi është i përçmuara dhe për pasojë i turpshëm, ose i konsideruar tradhti. Një rajon që ka këtë nënvlerësim të diplomacisë, këtë përçmim të diplomatëve dhe këtë konsideratë negative për mjetet dhe rrugët diplomatike për zgjidhjen e krizave, ka dhe do ketë pengesa serioze për të arritur një paqe të qëndrueshme, demokraci dhe prosperitet social-ekonomik për mbarë popujt e Ballkanit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Ferat Shala, në…