Diskutohen mundësitë e organizimit të një forumi të përbashkët ekonomik mes Kosovës dhe Bangladeshit

12 mars 2024 | 12:34

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të martën në takim lamtumirës ambasadorin jorezident të Bangladeshit, Mosharraf Hossain Bhuiyan, të cilin e ka falënderuar për angazhimin gjatë mandatit të tij.

Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e përzemërt për angazhimin e palëkundur të Bangladeshit për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe me Kosovën dhe mbështetjen e vazhdueshme ndër vite.

Në këtë linjë, presidentja Osmani shtroi nevojën e mbështetjes nga Bangladeshit për forcimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Në takim u diskutua edhe për mundësitë e shkëlqyera për nxitjen e mëtejme të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare, me theks të veçantë në industrinë e tekstilit, e cila është e zhvilluar në Bangladesh.

Në këtë kontekst, u diskutua edhe për mundësinë e organizimit të një forumi të përbashkët ekonomik si një mundësi e shkëlqyer për bizneset nga të dyja vendet për t’i eksploruar perspektivat e bashkëpunimit në të ardhmen.

Presidentja Osmani, në këtë takim, e ka njoftuar ambasadorin Bhuiyan edhe për edicionin e dytë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili do të mbahet më 15-16 prill të këtij viti dhe i cili është një mundësi e mirë për bashkëpunim dhe dialog të mëtejshëm.

Një ditë më parë edhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, është takuar me ambasadorin jorezident të Bangladeshit në Kosovë, Mosharraf Hossain Bhuiyan.

Gjatë takimit u bisedua për marrëdhëniet dypalëshe dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fusha me interes për të dyja palët.

Ministri Murati e njoftoi ambasadorin Hossain Bhuiyan lidhur me përparësitë e të investuarit në Kosovë, duke nënvizuar moshën e re e popullsisë dhe nivelin e tatimit në të ardhurat e korporatave si fakte këto që e bëjnë Kosovën një vend tërheqës për investime të huaja.

Në anën e tij, ambasadori shprehi gatishmërinë për bashkëpunim ndërbiznesor në mes bizneseve të Kosovës dhe atyre të Bangladeshit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kombëtarja e Kosovës U16 në konkurrencën e vajzave ka shënuar…