Kosova e nis me fitore bindëse turneun e UEFA-s në Tiranë

12 mars 2024 | 12:31

Kombëtarja e Kosovës U16 në konkurrencën e vajzave ka shënuar fitore bindëse në ndeshjen hapëse në “UEFA Development Tournament U16” që ka nisur sot në Tiranë.

Dardanet e udhëhequra nga Albina Rrahmani kanë mundur Kombëtaren e Shqipërisë, me rezultat 6:0. Ndeshja u zhvillua në kushte të rënda atmosferike, ku si pasojë e shiut të madh, loja u ndërpre për një periudhë kohore. Futbollistet dardane u shfaqën mjaft të motivuara për lojë, teksa ditën e saj e kishte Anisa Meha, e cila realizoi katër gola. Ajo fillimisht shënoi në minutën e 14-të, derisa u tregua e pamëshirshme për portën e ekipit kuqezi në minutat 31-të dhe 37-të. Shifrat në 4:0 i çoi Olsa Maqastena, në minutën e 42-të.

Loja e mirë dhe mbizotërimi i plotë i Dardaneve vazhdoi edhe në pjesën e dytë, ndonëse përzgjedhësja Rrahmani u dha hapësirë për lojë të gjitha lojtareve. Ishte Anisa Meha (52′) që realizoi golin e saj të katërt për epërsinë 5:0, teksa rezultatin përfundimtar e vendosi Erijona Mehmeti, në minutën e 85-të.

Ndeshjen e radhës Dardanet e zhvillojnë kundër Portugalisë, më 13 mars, derisa më pas përballen me Skocinë, më 16 mars.

Deklarata pas ndeshjes:

Albina Rrahmani, përzgjedhëse: Një turne i vlefshëm, duke ditur që për vajzat e lindura më 2009 është hera e parë që janë pjesë e këtyre kompeticioneve të organizuara nga UEFA, e që ju shërben si përvojë dhe përgatitje kur të dalin te Kombëtarja U17.
Ndeshjen kundër Shqipërisë vajzat e filluan pak të emocionuara dhe të stresuara, gjë e cila ishte mjaft e dukshme edhe në lojën që po e bënin, por pas pak minutash filluan me menaxhimin e emocioneve e po ashtu filluan të bëjnë lojë më të mirë dhe si rrjedhojë erdhi edhe goli i parë. Më pas gjërat për ne ishin më të thjeshta dhe shënuam golat e tjerë. Është mirë që kishim mundësi të bënim të gjitha ndërrimet, që do të thotë që luajtën të gjitha vajzat e grumbulluara dhe kësisoj patëm mundësi të shohim paraqitjen e secilës. Ndeshjet do t’i marrim një nga një, është e rëndësishme që e fillum mbarë.
Ndeshja e ardhshme është kundër Portugalisë, një ekip aspak i lehtë. Shpresoj se do të mund të rikuperohemi mirë, meqë kemi më pak se 48 orë kohë dhe të përgatisim këtë ndeshje, në veçanti nga ana taktike, pasi kemi mangësi”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendësndihmëssekretari për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike i ShBA-së, Gabriel Escobar,…