Diskutohet për tranzicionin energjetik dhe energjinë e pastër

25 shtator 2025 | 12:20

Ka vazhduar dita e dytë e panairit “Kosova Energy Forum” dhe “Green Business Expo 2025”, ngjarje kjo që synon të ofrojë një platformë për diskutime mbi tranzicionin energjetik, liberalizimin e tregut të energjisë dhe sfidat për tërheqjen e investimeve në sektorin e energjisë së pastër dhe bizneset e qëndrueshme.

Gjatë ditës së dytë janë mbajtur panele diskutimi me temën: “Drejtimi i së ardhmes: Fuqizimi i E-mobilitetit përmes politikave”, mundësuar nga “Electric Mobility LLC”, si dhe paneli i dytë “Fuqizimi i Kosovës me diellin: Politikat për një të ardhme të ripërtëritshme”.

Po ashtu janë mbajtur edhe dy punëtori me temat “Aftësi të gjelbra, biznes më i fortë: angazhimi i sektorit privat në BRE/EE”, mundësuar nga “Kimerk” si dhe “Rezultatet dhe historitë e suksesit të fondit”, mundësuar nga KEEF.

Në kuadër të kësaj ngjarjeje, qytetarë dhe biznese kanë pasur mundësinë të shohin nga afër ofertat e mbi 40 kompanive që kanë ekspozuar produktet e tyre në panairin e organizuar gjatë këtyre dy ditëve.

Yllnora Hadergjonaj nga kompania “Green House”, ka thënë se tash e një dekadë operojnë në treg me shërbime të specializuara.

Ajo ka thënë se për ta, panairet janë me shumë rëndësi sepse jashtë Kosovës qytetarët janë të informuar për këtë lloj sistemi. “Operojmë tash e 10 vjet në treg. Shërbimi kryesor i kompanisë ka të bëjë me shtëpitë e parafabrikuara nga druri. Përparësia, cilësia e tyre sigurisht që është roli i energjisë që e prodhojnë këto shtëpi, kursimi në energji, koha në prodhimin e tyre dhe materialet ekologjike që përdoren. Në vendin tonë interesimi është i vogël për këto shtëpi. Është e nevojshme që të bëhet një promovim për këtë lloj sistemi të parafabrikimit. Për ne kanë shumë rëndësi këto panaire, sidomos në Kosovë sepse jashtë Kosovës qytetarët janë të informuar për këtë lloj sistemi”, ka thënë ajo.

Ndërsa Trandafile Salihu nga kompania “Rata Solar”, pjesëmarrjen në këtë panaire e ka parë si mundësi të rëndësishme për promovimin e produkteve solare. “Është shumë e rëndësishme për shkak se në panaire është mënyra më e mirë për t’i prezantuar produktet tona. Ngritjet e çmimeve kanë ndikuar tek ne, por jo aq shumë sa është pritur. Mund të themi se ngritja e çmimit të rrymës ka ndikuar pozitivisht tek kompanitë, sidomos ne që merremi me produkte solare, për shkak se klientët tani e kanë hallin se si të kursejnë rrymën elektrike që t’i ulin faturat e tyre. Ka qenë i mirëseardhur ky panair që të tregojmë që përzgjedhja e këtyre sistemeve është zgjidhja e duhur”, ka thënë Salihu

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Hamdi Hasani rikandidon në listën e PDK-së për asamble në…