Zgjedhjet lokale kushtëzojnë rezultatin e atyre parlamentare

24 shtator 2025 | 16:57

Shkruan: Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Balotazhe mbi 70 për qind: Fushata për zgjedhje lokale të 12 tetorit zyrtarisht ka filluar para 12 ditëve, realisht ka filluar shumë më herët. Në qytete të mëdha dhe në “bastione” po kandidojnë ata që kanë fituar më parë ose ata që kanë fituar shumë vota në zgjedhjet parlamentare. Kjo, në asnjë mënyrë nuk nënkupton se votat e fituara në zgjedhje parlamentare do të përkthehen në vota të zgjedhjeve lokale aq më parë që votuesit janë të mllefosur me pafuqinë e të zgjedhurve të popullit që në afatet e parapara kushtetuese të formojnë institucionet.

Edhe sot kemi vakum institucional, pa Kuvend dhe qeveri funksionale. Presidenca dhe presidentja janë zgjatje e LV-së, pa identitet dhe përmbajtje vendimmarrëse. Në këto zgjedhje lokale në vend se të bëhet fushatë për përmirësimin e infrastrukturës jetësore të qytetarit, fort po i bien tupanit patriotik që asgjë nuk ndikon në përmirësimin e cilësisë së jetës.

Të shohim qendrat e mëdha.
1. Në Prishtinë janë tre lojtarë për udhëheqësin e ekipit që do ta udhëheq Prishtinën në mandatin që po vjen: Përparim Rama, Uran Ismaili dhe Hajnrullah Çeko. Të tjerët më shumë luftojnë për asamblistë se për kryetar. Nëse nuk ndodhë ndonjë befasi apo zhvillim që tash nuk e shohim, Përparim Rama e ka të sigurt edhe një mandat tjetër, pas balotazhit.
2. Peja: Me siguri se këtu do të fitojë Gazmend Muhaxheri, nuk ka kundërshtar që e sfidon.
3. Gjakova: Ardian Gjini që tash mund ta festojë fitoren.
4. Ferizaj: Agim Aliu nuk diskutohet nëse do të fitojë. Këtu nuk do të ketë balotazh fare, është kryetar për të gjithë qytetarët pavarësisht cilës parti i takojnë. Është ndër kryetarët e rrallë që merr vota edhe nga partitë tjera. Ka bërë një punë shembullore në Ferizaj.
5. Prizreni: Nëpër vrimë të gjilpërës Shaqir Totaj, pas balotazhit do ta fitojë edhe një mandat.
6. Mitrovica: Fillimisht i kam dhënë përparësi Faton Pecit, por se duket se nuk do të fitojë. Ka reputacion të keq, është arrogant dhe shpërfillës. Armend Muja do të kishte më shumë gjasa për fitore. Pastaj, Pecit i rri mbi kokë Prokuroria Speciale si shpata e Demokleut.
7. Gjilani: Nëse shkohet në balotazh, LDK-ja do ta fitojë këtë qendër të madhe.

Kush rritet e kush xhuxhavet: Parashoh që në këto zgjedhje lokale të rritet LDK-ja, ndërsa të tjerët nuk do të kenë ndryshime të mëdha.
LV -ja, duke i rënë fort “defit patriotik” në kohën kur patriotizmi nuk gjen rrugë drejt kësaj partie, luajti lojën e mbajtjes së dy palë zgjedhjeve të njëjtën ditë. Përpjekje manipulative që të shfrytëzohet diaspora edhe për zgjedhje lokale. Nuk u bë kjo prandaj LV-ja në të gjitha komunat që do të shkojë në balotazh do të ndahet humbëse.
PDK-ja ia theu këmbët vetes në Drenas dhe Kaçanik, pa asnjë nevojë. E ka në dorë shpatën me dy tehe, sa mund të presë elektoralisht kundërshtarët, mund ta presë edhe veten.
Nëse në Podujevë shkohet në balotazh, fituese do të jetë LDK-ja. Besnik Osmani e fiton Fushë Kosovën sepse ka përvojë të gjatë, është korrekt dhe i ndershëm.
Xhafer Gashi me siguri e fiton Obiliqin sikur që besoj se edhe Smajl Latifi fiton në Rahovec , pa asnjë dyshim të merituar.
Për komunat tjera, në shkrimet e radhës. Por, jam i sigurt se koalicionet në nivel lokal do të jenë përcaktues edhe për qeverinë e ardhshme. E shohim përmes përditësimit të zhvillimeve të radhës. Këto pikëpamje janë në vija të trasha por se përafërsisht kështu do të jetë gjeografia e pushtetit lokal pas zgjedhjeve të 12 tetorit 2025.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në fjalimin e tij në OKB, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenksy…