Rama nga Brukseli: Serbia duhet ta njohë Kosovën

03 nëntor 2026 | 13:59

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar nga Brukseli se Serbia duhet ta njohë Kosovën.

Këtë koment, kreu i qeverisë shqiptare e ka bërë në një intervistë për “Euronews” gjatë Samitit për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, ku ka folur për rrugëtimin e Ballkanit Perëndimor drejt BE-së.

Rama ka theksuar se, ndonëse integrimi i Serbisë në BE është i rëndësishëm për stabilitetin e rajonit, Beogradi zyrtar duhet të tregojë rezultate konkrete, të përmbushë kushtet e panegociueshme dhe ta njohë Republikën e Kosovës.

“Ajo që di është se fituesi në Beograd nuk tregon hapje ndaj meje dhe shqiptarëve, e cila nënkupton njohjen e Kosovës. Kjo do të thotë se muzika në Beograd nuk do të ndryshojë. Jemi pjesë e një rajoni që ende nuk është plotësisht anëtar i BE-së. Ne jemi ata që dëgjojmë leksione, nuk japim leksione, por Serbia është një pjesë e rëndësishme e mozaikut të Ballkanit Perëndimor. Kam qenë avokat i qëndrimit se nuk duhet ta lëmë Serbinë të shkojë në drejtimin e gabuar dhe ta braktisë projektin evropian. Nga ana tjetër, e dimë se si shkojnë gjërat. Kur bëhet fjalë për aspekte të caktuara, Serbia ka dëshmuar hezitim ndaj Kosovës, por edhe për qëndrimin që mban karshi Rusisë dhe sanksioneve. Na duhet që Serbia të jetë me ne, të jetë pjesë e fqinjësisë dhe pjesë e plotë e BE-së, por duhet të tregojë rezultate dhe ta meritojë këtë përkatësi, duke përmbushur atë që është e panegociueshme me BE-në”, është shprehur Rama.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Erblin Osmani është stërvitur me…