Aksion ndërkombëtar kundër mashtrimeve përmes platformave të investimeve: bastisen pesë lokacione në Kosovë dhe arrestohen tre persona

03 nëntor 2026 | 13:31

Në kuadër të një hetimi për veprimtari të dyshuar kriminale përmes qendrave të thirrjeve dhe platformave të rreme të investimeve, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, hetuesit nga Drejtoria Ekonomike dhe ajo Kibernetike në Policinë e Kosovës kanë zhvilluar një operacion në pesë lokacione në komunën e Prishtinës, Fushë Kosovës dhe Ferizajt.

Si rezultat i këtij operacioni janë arrestuar tre persona M.P., I.H., dhe F.Z., nën dyshimin për kryerjen e veprave penale të pjesëmarrjes ose organizimit të grupit kriminal të organizuar, mashtrimit, hyrjes së paautorizuar kompjuterike dhe mashtrimit kompjuterik.

Operacioni i zhvilluar në Kosovë, është pjesë e një operacioni ndërkombëtar, në kuadër të të cilit janë zhvilluar urdhër- kontrolle edhe në Shqipëri, Qipro, Izrael, Finlandë dhe Maqedoninë e Veriut.

Gjatë zbatimit të urdhër kontrollit në Kosovë janë sekuestruar përkohësisht: vetura, telefona celularë, kompjuterë dhe pajisje të tjera elektronike që mund të shërbejnë si prova në procedurën penale.

Me urdhër të Prokurorisë Speciale, tre të pandehurit janë ndaluar për 48 orë.

Sipas dyshimeve të deritanishme, personat e përfshirë, duke u paraqitur si agjentë apo ndërmjetës financiarë, dyshohet se kanë mashtruar qytetarë, kryesisht gjermanishtfolës, duke i nxitur të transferonin mjete financiare për investime të pretenduara në instrumente financiare dhe kriptovaluta.

Fitimet e paraqitura në platformat përkatëse dyshohet se ishin fiktive, ndërsa mjetet e transferuara nuk investoheshin sipas premtimeve të dhëna.

Operacioni në Kosovë, është realizuar në koordinim dhe bashkëpunim me autoritetet gjermane dhe partnerët ndërkombëtarë. Gjatë zbatimit të urdhër kontrollit prezent ishin: prokurori nga Prokuroria Speciale, nga Prokuroria në Gjermani së bashku me hetues, dhe ekspert te kibernetikës nga Europol.

Ndërsa bashkëpunimi është lehtësuar, edhe nga Eurojust.

PSRK dhe Policia e Kosovës po vazhdojnë hetimet për sqarimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe gjurmimin e pasurisë që mund të ketë prejardhje nga veprat penale.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Erling Haaland është shndërruar në një nga lojtarët kryesorë të…