Babai i Haalandit nuk e përjashton largimin e sulmuesit nga City
Erling Haaland është shndërruar në një nga lojtarët kryesorë të Manchester Cityt, por e ardhmja e tij në klub mund të varet edhe nga zhvillimet lidhur me çështjen e shkeljeve të pretenduara financiare të skuadrës angleze.
Manchester City e ka nisur mirë sezonin, por rezultatet kanë rënë në javët e fundit. Ndërkohë, klubi përballet me akuzat për më shumë se 100 shkelje të rregullave financiare të Ligës Premier dhe mundësinë e sanksioneve.
Pasiguria rreth së ardhmes së Cityt ka ngritur pikëpyetje edhe për lojtarët kryesorë të skuadrës, me Haalandin në qendër të vëmendjes. Sulmuesi norvegjez ka shënuar nëntë gola në nëntë xhirot e para të Ligës Premier dhe ka kontratë me klubin deri në vitin 2034.
Megjithatë, babai i tij, Alf-Inge Haaland, nuk e ka përjashtuar mundësinë e largimit të të birit, duke thënë se fillimisht duhet të pritet vendimi përfundimtar në procesin e apelit të Manchester Cityt.
“Mendoj se duhet të presim rezultatin e apelit. Mund të përfundojë shpejt, megjithëse ka tifozë, klube rivale dhe, mbi të gjitha, gazetarë që po e synojnë Cityn tani. Pra, thjesht duhet të presim dhe të shohim se cili do të jetë rezultati i apelit”, ka thënë fillimisht babai i Haalandit.
“City beson se ka prova të forta për të vërtetuar pafajësinë e tij dhe mendoj se është më mirë të presim derisa të merret ky vendim. Erling po mendon vetëm të luajë sa më shumë futboll të jetë e mundur dhe është i përqendruar në këtë. Mendoj se jemi kryesisht ne, jashtë fushës, që mendojmë pak më shumë për këtë”, ka përfunduar Alf-Inge.
Nëse Manchester City përballet me rënie nga kategoria, Haaland mund të tërheqë interesimin e klubeve të mëdha evropiane. Megjithatë, transferimi i tij do të ishte i vështirë për shkak të vlerës së lartë dhe pagës së sulmuesit norvegjez.
Në mesin e klubeve që mund të interesohen për të përmendet edhe Real Madridi, i cili prej kohësh e ka ndjekur situatën e tij dhe mund ta shohë si një përforcim të rëndësishëm në repartin ofensiv. Një dyshe me Kylian Mbappen do të përbënte një nga opsionet më të bujshme sulmuese në futbollin evropian.



