Diskutohet rëndësia e rishikimit dhe auditimit të pasqyrave financiare

09 tetor 12:28

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), në bashkëpunim me Shoqatën e Kontabilistëve të Certifikuar dhe Auditorëve në Kosovë (ShKÇAK) dhe “Baker Tilly Kosovë”, kanë organizuar të mërkurën konferencën me temë “Rishikimi i pasqyrave financiare, kërkesë ligjore për NVM në Kosovë”. Me këtë rast, kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi, ka thënë se raportimi dhe auditimi i pasqyrave financiare të ndërmarrjeve ndikon në performancën e kompanive dhe, si rrjedhojë, në uljen e informalitetit. “Është shumë e rëndësishme të diskutohet për auditimin dhe raportimin financiar pasi ka rëndësi jo vetëm për informim, por edhe për vetëdijesimin e kompanive në raportimin financiar. Çdo përmirësim i raportimit financiar ka ndikime pozitive në performancën e ekonomisë, në të njëjtën kohë në performancën e kompanisë”, ka thënë Rukiqi, duke shtuar se çështja e informalitetit akoma mbetet sfidë. “Ne jemi duke folur çdoherë e më shumë për koston e kapitalit dhe normalisht se ka një lidhje të drejtpërdrejtë për rëndësinë e raportit financiar. Çështja e ekonomisë informale është sfidë dhe ka ndikim substancial raporti financiar”, ka thënë ai.

Ndërsa drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Ilir Murtezaj, ka thënë se në vazhdimësi kanë ofruar shërbime efikase për tatimpaguesit dhe se digjitalizimi i sistemit në këtë institucion mbetet prioritet. “ATK-ja në vazhdimësi parashtron kërkesë që të bëhet edhe raportimi financiar i bizneseve. Jemi në fazën e digjitalizimit të sistemit dhe na u ka paraqitur një masë jo e kënaqshme për kategorinë A që mos të jetë asnjë tatimpagues”, ka thënë Murtezaj.

Më tutje, ai ka folur edhe për marrëveshjen e vitit 2016 e cila është nënshkruar me KRPP-në e që, sipas tij, nuk ka zbatueshmëri të nivelit të kënaqshëm. “ATK-ja në vazhdimësi ka ofruar shërbime efikase konform tatimpaguesve dhe misionit tonë e që është: përmbushja tatimore, trajtimi i barabartë, si dhe lehtësira tatimore. Sa i përket përmbushjes tatimore ne kemi nënshkruar një marrëveshje me KRPP-në në vitin 2016 dhe nga ajo kohë s’është përmbushur kjo marrëveshje në nivelin e kënaqshëm. ATK-ja në vazhdimësi parashtron kërkesë që të bëhet edhe raportimi financiar i bizneseve, pasi ne e kemi detyrë t’i raportojmë te KRRP-ja ato pasqyra, prandaj është e domosdoshme që ta rishikojmë këtë marrëveshje”, ka thënë Murtezaj.

Në anën tjetër, zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Sokol Havolli, ka thënë se informatat e sakta për raportim financiar ndikojnë në procesin e riskut, por edhe të mbikëqyrjes. “BQK-ja ka qenë e fokusuar vazhdimisht në agjendën e raportimit financiar. Informata e sakta për raportim financiar ndikojnë në procesin e riskut, por edhe të mbikëqyrjes. Është e rëndësishme të theksohet roli i procesit të auditimit dhe kontabilistëve pasi aplikimi i standardeve është i rëndësishëm vetëm nëse shtyhet nga kontabilistët dhe auditorët”,është shprehur Havolli.

Kurse Lulzim Zeka, partner auditues në “Baker Tilly Kosovë”, ka thënë se është e rëndësishme të kategorizohen ndërmarrjet në ndërmarrje të vogla, të mesme dhe mëdha pasi, sipas tij, ato ndërmarrje që kanë mbi katër milionë euro janë të obliguara që të bëjnë auditimin, ndërsa ato që kanë qarkullin nën këtë shumë mund ta kenë vetëm rishikimin e pasqyrave financiare. “Ndërmarrjet që kanë mbi katër milionë euro qarkullim duhet ta bëjnë auditimin. Rishikimi dhe auditimi janë çështje që rrisin besueshmërinë në pasqyrave financiare. Rishikimi mund të kryhet nga ndërmarrja, gjë që ndikon në rritjen e besueshmërisë së pasqyrave financiare. NVM-të janë komplekse në shumicën e rasteve pasi përdoruesit mund të thonë se një ‘profesionist i ka rishikuar pasqyrat tona’ dhe atë mund t’ua dërgojnë më pas bankave, porse auditimi ofron siguri maksimale”, ka thënë Zeka.

(/Epoka e re/ Albulena S. MAVRAJ)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
  Lëvizja Vetëvendosje po pranon aderime të reja edhe pas…