Distanca, përdorimi i maskave dhe shmangia e tubimeve, të domosdoshme për ta fituar këtë betejë

24 maj 2020 | 22:50

Të dielën në Kosovë nuk është regjistruar asnjë rast i ri me Covid-19.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka thënë se gjatë 24 orëve janë testuar 138 persona dhe asnjëri prej tyre nuk ka rezultuar pozitiv me Covid-19.

Kjo është hera e parë që nuk është shënuar asnjë person i infektuar, brenda periudhës 24 orësh, prej kur janë paraqitur rastet e para më 13 mars.

Vitia ka thënë se koordinimi me kryetarët e komunave dhe degëve të Institutit e laboratorit, përkushtimi i vullnetarëve dhe vigjilenca e Klinikës infektive në trajtimin e rasteve e vendos Republikën e Kosovës në një situatë shpresëdhënëse përballë virusit.

“Distanca fizike, përdorimi i maskave, shmangja e tubimeve, janë të domosdoshme që ta fitojmë këtë betejë”, ka shkruar Vitia.

Postimi i plotë i tij:

Sot nga IKSHP u realizuan 138 testime të qytetarëve tanë. Rezultati që morëm sot është 0 raste pozitive.
Sot pra me 24 maj është dita e parë pas 13 marsit, kur rezultuan rastet e para me Covid-19, ku nuk rezulton asnjë i infektuar nga testimi.
Forca e madhe e vullnetit tuaj vajza e djem, burra e gra, mjeke e mjekë, infermiere e infermierë, policë e police, inspektore e inspektorë, e bëri të mundur këtë rezultat.
Koordinimi me kryetarët e komunave dhe degëve të Institutit e laboratorit, përkushtimi i vullnetarëve dhe vigjilenca e Klinikës infektive në trajtimin e rasteve e vendos Republikën e Kosovës në një situatë shpresëdhënëse përballë virusit.
Si në të gjitha vendet, edhe ne jemi futur në një normalitet të ri me të cilin duhet të mësohemi.
Distanca fizike, përdorimi i maskave, shmangja e tubimeve, janë të domosdoshme që ta fitojmë këtë betejë.
Çdo shkujdesje, shpërqendrim apo relaksim dhe kthim në zakonet si para virusit mund të na kushton, madje edhe rëndë.
Në anën tjetër për këta muaj, përmes fondeve të Qeverisë, ndihmës nga miqtë tanë, diasporës e shumë organizatave kemi siguruar dhe po sigurojmë mjete të mjaftueshme dhe të domosdoshme për mbrojtje dhe rritje të kapaciteteve tona.
Vepruam bashkë dhe po fitojmë bashkë.
Të vazhdojmë të kujdesemi bashkë.

(M.Q / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bashkëlojtarët e tij në Inter e quanin atë një përzierje…