
Diversioni mbi Forcën e Sigurisë së Kosovës, mes standardeve operative dhe instrumentalizimit politik
Shkruan: Hisen Berisha, ish deputet dhe gjeneral në pension
Deklarimetmediale, lidhur me hyrjen “gabimisht” të disa automjeteve të FSK-së në territorin e Mitrovicës së Veriut, shënon një rast që kërkon trajtim të kujdesshëm profesional dhe institucional.
Ngjarja, në thelb, nuk është vetëm një incident topografik apo taktik, por një test serioz i standardit të komandimit, zbatimit të urdhrave dhe integritetit operacional të Forcës, në raport me misionin e saj kushtetues dhe standardet e NATO-s.
Çdo lëvizje trupave të FSK-së, në zonat me ndjeshmëri të lartë apo standarde operative brenda apo jashtë vendit, bëhet vetëm në bazë të kuadri Operacional dhe Procedurat Standarde të FSK-së dhe me urdhër të dokumentuar dhe të nënshkruar nga zinxhiri komandues.
Sipas Procedurave Operative Standarde (SOP) të Forcës, lëvizja e një konvoji motorizuar përbën operacion ushtarak të planifikuar, i cili përfshin:
Hartimin e urdhrit të operacionit, që përcakton qëllimin, itinerarin, strukturën e komandës komunikimin, masat e sigurisë e tjera detaje specifikisht;
Verifikimin e informatave operative për Urdhrin Operativ dhe verifikimin e koordinatave topografike, që bëhet përmes sistemit të navigimit të integruar dhe kontrollit digjital të marshutës;
Përcaktimin e pikave të kontaktit dhe pararojeve, që sigurojnë kolonën gjatë lëvizjes;
Koordinimin me mekanizmat tjerë të sigurisë,, PUN/ KFOR-in, kur lëvizja ndodh në afërsi të zonave të verifikimit të ndjeshëm ose kufizimeve sipas marrëveshjeve ndërkombëtare.
Në këtë kuadër, pretendimi se një njësi e FSK-së “ka ngatërruar rrugën” është jashtë logjikës së një operacioni të organizuar dhe bie ndesh me procedurat standarde të një force profesionale.
Nëse incidenti është realisht teknik apo topografik, ai duhet të trajtohet brenda procesit të “Lesson Learned”, që shërben për përmirësimin e procedurave, jo për dënim publik apo për përdorim politik.
Në vend që incidenti të trajtohej me standard ushtarak e profesional, ai është kthyer në çështje politike dhe në mjet propagandistik për de-legjitimimin e FSK-së.
Kjo përkon me një vijë përmanente të degradimit institucional që qeveria aktuale ka ushtruar ndaj strukturave të sigurisë dhe mbrojtjes.
Që nga viti 2019, e veçanërisht pas ardhjes në pushtet të kabinetit Kurti në vitin 2021, janë bërë përpjekje për të ndryshuar karakterin profesional të Forcës, përmes ideve të rikthimit në modelin e “ushtrisë me shërbim të detyrueshëm”, gjë që do të shkatërronte natyrën moderne dhe vullnetare të FSK-së si Ushtri Profesioniste.
Ndërkohë, ndërhyrjet në projektet logjistike të ndërtuara në bashkëpunimet me ekspertizën amerikane, kanë krijuar përplasje me parimet bazë të doktrinës së mbrojtjes moderne.
Si rezultat, është minuar gradualisht modeli i “ushtarakut profesional të shëndetshëm” — pra, i ushtarakut të ndërtuar mbi integritet, kompetencë dhe shërbim ndaj shtetit, jo ndaj partisë.
Ky proces ka prekur jo vetëm Forcën, por edhe Policinë e Kosovës, elitarizmi i së cilës është devalvuar përmes instrumentalizimit politik.
Në praktikën e FSK-së, Forca vihet në veprim vetëm përmes urdhrit të komandës, dhe çdo urdhër ka formë standarde doktrinore, ku përfshihet edhe “marshuta e miratuar e lëvizjes”.
Çdo devijim nga marshuta, në rast se ndodh, kërkon autorizim shtesë nga Komanda Operacionale, për shkak se lëvizja jashtë sektorit të parashikuar përbën ndryshim të situatës taktike.
Për këtë arsye, çdo pretendim për “gabim” në koordinata ose orientim duhet trajtuar në kontekst profesional, jo publik, pasi çdo publikim i panevojshëm krijon dëmtim të imazhit të Forcës dhe cenim të integritetit të oficerëve.
Çështje të tilla janë pjesë e “qeverisjes së brendshme ushtarake” dhe asnjëherë nuk duhet të shndërrohen në spektakël mediatik apo mjet për luftë politike.
Korniza ligjore dhe politike e pranisë së FSK-së në veri buron nga letra e vitit 2013, e dërguar nga sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen drejtuar ish-kryeministri Hashim Thaçi.
Ky dokument, i cili përcakton koordinimin paraprak me KFOR-in për çdo dislokim në veri, nuk e kufizon mandatin kushtetues të FSK-së, por e rregullon në funksion të sigurisë së përbashkët koplementare sipas Planit të sinkronizimit.
Ndryshe nga kjo praktikë e dakorduar ndërkombëtarisht, letra e dërguar nga kryeministri aktual Kurti dhe ministri i mbrojtjes Maqedonci ndaj NATO-s përmban zotim se “FSK-ja nuk do të hyjë asnjëherë në veri”.
Ky zotim është në kundërshtim të hapur me mandatin kushtetues të Forcës, që e përcakton mbrojtjen e integritetit territorial të Republikës në të gjithë hapësirën e saj.
Instrumentalizimi i institucioneve të sigurisë për interesa politike është rreziku më i madh për shtetin.
Ky model politik ka prodhuar pasoja serioze: nga zhbërja e funksionimit kushtetues të institucioneve, deri te sanksionet amerikane që kanë prekur bashkëpunimin strategjik në fushat e sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik, arsimit dhe – veçanërisht në fushën e siguridë e mbrojtjes, mbështetjen për arritjen e Kapaciteteve të Plota Operacionale (KPO) dhe përgatitjen e Kosovës për anëtarësim në NATO.
Rasti i FSK-së në Veri është simptomë e një krize më të thellë: përplasjes mes standardit profesional ushtarak dhe agjendës politike ideologjike.
Nëse shteti synon të ndërtojë një Forcë me kapacitete të plota operacionale, atëherë duhen mbrojtur parimet e komandës, integritetit dhe zinxhirit të urdhrit nga çdo ndikim politik.
FSK-ja është themeli i sigurisë së Republikës – dhe si e tillë, nuk mund të bëhet as mjet për propagandë, as instrument për lojëra politike.