Djali i dëshmorit Sherif Jashari, Samedini rrëfen një kujtim të veçantë për Sahit Jasharin
Samedin Jashari, djali i dëshmorit të kombit Sherif Jashari, ka ndarë një kujtim të veçantë për Sahit Jasharin, duke e përshkruar atë si një burrë që frymëzonte respekt dhe guxim vetëm me praninë e tij.
Në një postim përkujtimor pas vdekjes së Sahit Jasharit, ai ka rrëfyer një ngjarje nga periudha e paraluftës, e cila i ka mbetur e ngulitur në kujtesë që nga fëmijëria.
“Sot na la një burrë i madh i Prekazit, Drenicës dhe Kosovës – Bacë Sahit Jashari.
Si një fëmijë i vogël, më kujtohet një rast që nuk do ta harroj kurrë. Ishte ditë e hënë, ditë pazari, dhe po shkonim për në Skenderaj me babain tim, Sherif Jashari. Tek kryqi që lidhte rrugën e Lushtakëve me atë të Maçkollëve, pikërisht pranë shtëpisë së Bacë Sahitit, na ndaloi një patrullë e milicisë serbe me një Zastava 101 të asaj kohe.
Filluan procedurat e zakonshme, por në atë moment Bacë Sahiti ishte në ballkonin e shtëpisë së tij. Sapo e panë, as nuk i kontrolluan dokumentet dhe as nuk vazhduan më tej. Hipën menjëherë në veturë dhe u larguan. Ne vazhduam rrugën tonë. Ajo pamje më ka mbetur në kujtesë gjithë jetën.
Ishte një trim i pathyeshëm, një njeri që frymëzonte respekt dhe guxim vetëm me praninë e tij.
Sot ai shkon pranë 13 anëtarëve të ngushtë të familjes së tij dhe pranë gjithë atyre që i deshi më shumë se çdo gjë tjetër. Emri dhe vepra e Bacë Sahit Jasharit do të jetojnë përherë në kujtesën tonë.
I qoftë i lehtë dheu i Kosovës. Lavdi jetës dhe veprës së tij!”, ka shkruar Samedin Jashari.
Ky kujtim vjen pas ndarjes nga jeta të Sahit Jasharit, njërit prej figurave të njohura të rezistencës shqiptare dhe ndër themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.



