Shqipe Selimi për Sahit Jasharin: Më mësoi si të përdor armën, si të luftohet për liri dhe si të jem e guximshme përballë armikut
Ish-ushtarja e UÇK-së, Shqipe Selimi, ka shprehur ngushëllimet e saj për vdekjen e Sahit Jasharit, njërit prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një postim përkujtimor, ajo ka kujtuar mikpritjen, mbështetjen dhe mësimet që kishte marrë nga Komandant Sahit Jashari gjatë luftës.
“Ka fotografi që ruajnë kujtime krenarie dhe lavdie, por ka edhe momente kur ato shndërrohen në dëshmi të dhimbjes. Me këtë fotografi të Komandant Sahit Jasharit dhe bashkëluftëtarëve tanë, sot po i shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, miqve dhe bashkëluftëtarëve të tij.
Sahiti, Musa dhe familja e tyre e nderuar na mirëpritën mua dhe babanë tim pasi iu bashkuam luftës në Drenicë.
Nga Komandant Sahiti mësova si të përdor armën, si të luftohet për liri dhe si të jem e guximshme përballë armikut.
Si një ndër themeluesit e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe bashkëluftëtar i Adem dhe Hamëz Jasharit, Sahit Jashari do të kujtohet përherë për trimërinë, guximin, patriotizmin dhe luftën e tij për atdhe.
U prehsh në paqe, Komandant. Do të të kujtojmë gjithmonë me nderim dhe respekt. Lavdi jetës dhe veprës tënde!”, ka shkruar Selimi.
Ky reagim vjen pas ndarjes nga jeta të Sahit Jasharit, njërit prej figurave të njohura të rezistencës së armatosur dhe ndër themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.



